TIRANË, 18 shtator/ATSH/ Avokatë të Asamblesë së Dhomave të Avokatisë së Greqisë të ardhur nga Greqia dhe ambasadorja e Greqisë në Tiranë, ndoqën të hënën seancën gjyqësore në Gjykatën e Apelit Antikorrupsion, ku u rrëzua kërkesa e Fredi Belerit për t’u liruar nga qelia.
I arrestuar me akuzën e blerjes së votave, Fredi Beleri, kandidati fitues i zgjedhjeve për Bashkinë e Himarës në 14 maj, nuk ka bërë ende betimin dhe pikërisht për këtë ai kërkon edhe lirimin nga qelia. Gjykata e Apelit pasi dëgjoi pretendimet e palëve, vendosi rrëzimin e kërkesës, duke e lënë në qeli Belerin.
Kryetari i Asamblesë së Dhomave të Avokatisë së Greqisë, Dhimitros Vervesos dhe presidenti i Avokatëve pa Kufij, Patrick Heny, në një deklaratë për mediet nga Tirana, kërkuan nga autoritetet shqiptare që të gjendet rruga për betimin e Belerit.
“Pika e parë është shkelja e nenit 3 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, e cila thotë se kur një organ i zgjedhur pengohet që të marrë detyrën e tij, kur nuk ka një dënim penal të formës së prerë, që e ndalon këtë gjë, që sipas ligjit ta justifikojë rënien e tij nga detyra. Në këtë rast, kur kemi paraburgim kur nuk përfshihet një gjykim i parevokueshëm, ai shmanget nga detyrimi për të ushtruar detyrën si kryebashkiak, ku është zgjedhur të mbështesë interesat e atyre që e kanë zgjedhur. Masa e paraburgimit është në shkelje të nenit tre të protokollit të konventës. Kemi dhe shkelje të nenit 10 të konventës ku kemi një mohim që e ndalojnë atë të ushtrojë funksionin e tij dhe shkel të drejtën e shprehjes politike”, theksuan Avokatët e ardhur nga Greqia në vendin tonë në mbështetje të Belerit.
Sipas tyre, “kjo është një gjendje që e ndalon të përfaqësojë votuesit e tij. Bie ndesh sa i përket efektivitetit të zgjedhjeve të mbajtura më 14 maj duke minuar kështu vullnetin e popullit. Un nuk futem fare nëse ka apo jo faj, këtë do ta zgjidhin gjykatat e Shqipërisë. Kemi dhe shkelje sa i përket parimit të proporcionalitetit se çfarë kërkon ligji dhe çfarë po bazohet. Dënimi prej 4 muajsh, një shkelje e supozuar, por për ne është jo proporcionale.”, deklaruan avokatët e huaj.
Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale. Sipas SPAK ai u kap në flagrancë teksa po blinte vota në kuadër të zgjedhjeve lokale. Fillimisht ndaj tij nisi hetim në Prokurorinë e Vlorës, ndërsa më tej çështja i kaloi SPAK.
/r.e/























