Ballina Flash

Balla: Konferenca e radhës e Interpol në Tiranë

TIRANË, 14 shtator/ATSH/- Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka publikuar detajet e konkluzionit të Ministerialit të Ministrave të Brendshëm të BE-së dhe Rajonit mbajtur sot në Tiranë në kuadër të Procesit të Berlinit me pjesëmarrjen 26 delegacioneve të nivelit të lartë.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Johannes Luchner, zv.drejtor i Përgjithshëm i DG Home, Balla deklaroi se Shqipëria ka rikonfirmuar vendosmërinë në luftën kundër krimit të organizuar i cili nuk na godet vetëm ne, por edhe vendet e BE-së

Balla nënvizoi se gjatë takimit është propozuar krijimi i forcave dhe ushtrimeve të përbashkëta për të luftuar aspekte specifike të kriminalitetit.

“Në fund të këtij takimi ne kemi bërë një thirrje për bashkëpunim më të fortë ndërkombëtar, në luftën kundër krimit të organizuar me parimin “Follow the Money”. Dhe kemi propozuar krijimin e forcave të përbashkëta dhe ushtrimeve të përbashkëta për të luftuar kundër aspekteve specifike kundër kriminalitetit. Kemi theksuar nevojën për standarde të sigurisë dhe rregullores së harmonizuar në fushën e sigurisë kibernetike dhe kemi propozuar bashkëpunim të ngushtë mes vendeve tonë për të mbrojtur infrastrukturën kritike nga kërcënimet kibernetike”, deklaroi ministri.

Ai shtoi se “ky takim ishte një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit dhe koordinimit të veprimeve tona kundër kërcënimeve të ndryshme që ballafaqojnë vendet tona dhe shpresoj që ky angazhim do të sjellë rezultate të dukshme dhe do të ndihmojë në rritjet e stabilitetit dhe sigurisë”.

Gjithashtu, Balla bëri të ditur lajmin se konferenca e radhës së Interpool në 2024, do të zhvillohet në Tiranë.

“ Në fund dua të ndaj me publikun edhe lajmin e mirë që na u njoftua nga sekretari i përgjithshëm i Interpolit që konferenca vjetore e radhës në 2024 për Europën e Interpolit do të mbahet në Tiranë”, tha ai.

Sipas tij, ky lajm i mirë tregon për besimin e partnerëve tek Shqipëria dhe autoritetet shqiptare.

Ministri i Brendshêm, Taulant Balla konferencë të përbashkët për shtyp me Johannes Luchner, zv.drejtor i Përgjithshëm i DG Home; Foto: Franc Zhurda

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVeliaj falenderon ekipet që luftuan me zjarrin: Të nisë menjëherë hetimi, do të ndihmojë familjet që kane dëmtime
Artikulli tjetërBorrell: Kurti s’është i gatshëm për Asociacionin, zgjedhjet përmes dorëheqjes së kryetarëve