TIRANË, 8 shtator /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kalaja historike e Shkodrës dhe lumi i Bunës, të cilat, theksoi kreu i qeverisë, me krenari plotësojnë hijeshinë e bukurinë shumëdimensionale të kryeqendrës së veriut, e cila është e magjishme në çdo stinë të vitit.
Rama u shpreh se shumë punë të mira na presin përpara për kryeqendrën e veriut.
Në kalanë e Rozafës në Shkodër ka nisur puna për restaurimin e saj për ringritjen e fragmentit të murit, në pjesën lindore të Kalasë.
Kalaja e Rozafës ngrihet mbi një kodër që rrethohet nga lumenjtë Drin, Kiri dhe Buna. Muret e saj rrethojnë pjesën e sipërme të kodrës në të cilën ndodhet kjo kala. Kalaja e Rozafës është shpallur Monument Kulture i Kategorisë I në vitin 1948. Gjurmët e mureve të kësaj kalaje ilire datojnë që nga shekulli III para Krishtit.
/r.e/














