TIRANË, 6 shtator/ATSH/ Prefekti i qarkut Gjirokastër, Odise Kote organizoi takimin e parë për ngritjen e taskforcës rajonale me objekt “Siguria publike në shkolla”.
Në takim ishin të pranishëm drejtues të Zyrave Vendore të Arsimit, Policisë Vendore të shtetit, Policisë bashkiake, drejtorët rajonalë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, Spitalit Rajonal, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, etj.
Takimi i sotëm u zhvillua në funksion të detyrimit ligjor e institucional për një qasje të re në punën e veprimtarinë e përbashkët dhe të detyrës për ecuri shembullore, koordinim, monitorim e informimin ditë për ditë e javë pas jave të këtij procesi.
Në këtë takim u shtruan detyra konkrete për sigurinë publike, sigurinë rrugore, sigurinë ushqimore, sigurinë urbane, higjiena dhe duhani në shkolla, taskforcën dhe aktivitetin e oficerëve të sigurisë në shkolla.
Prefekti Kote u shpreh se “do të bëjmë më të mirën për realizimin e këtij procesi jetik për fëmijët tanë, për shkollën tonë”.
Pak ditë më parë ministri i Brendshëm, Taulant Balla dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi prezantuan paketën e “Sigurisë në shkolla”, ku theksuan se “siguria në shkolla është prioritare, jo vetëm për ditën e parë, por për çdo ditë të vitit dhe se prindërit këtë vit duhet të ndihen më të siguritë se kurrë për fëmijët e tyre gjatë procesit mësimor”.
/k.s/r.e/























