Ballina Aktualitet

Transferimi i punonjësve të Gardës së Republikës në struktura të tjera me gradë, përcaktohen procedurat

TIRANË, 31 gusht /ATSH/ Këshilli i Ministrave përcaktoi  rregullat dhe procedurat për transferimin e punonjësve të Gardës së Republikës në struktura të tjera me gradë, në varësi të ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike.

Në vendimin e qeverisë thuhet se, punonjësit e Gardës së Republikës mund të transferohen, për arsye shërbimi, në struktura të tjera me gradë, në varësi të ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike, me kërkesën e këtyre të fundit.

Punonjësit, të cilët transferohen në struktura të tjera me gradë, emërohen në funksion në nivel ekuivalent me gradën që kanë.

Titullarët e institucioneve kërkuese, të cilët shprehin interes për emërimin e punonjësve të Gardës së Republikës, në strukturat e tyre, paraqesin kërkesën me shkrim pranë drejtorit të Përgjithshëm të Gardës së Republikës, duke specifikuar kriteret dhe kualifikimin që duhet për të kryer detyrën.

Drejtori i Përgjithshëm i Gardës së Republikës, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga marrja e kërkesës, për çdo funksion të kërkuar nga institucionet kërkuese, përzgjedh kandidaturën që plotëson kriteret e kërkuara dhe e përcjell atë tek institucioni kërkues, së bashku me dokumentacionin që vërteton kualifikimin e tij për pozicionin e propozuar.

Kur kandidatura e përzgjedhur mban gradën “Drejtues i lartë”, transferimi bëhet me urdhër të ministrit, pas propozimit të drejtorit të Përgjithshëm të Gardës së Republikës.

Institucioni kërkues, brenda 5 (pesë) ditëve nga marrja e kandidaturës së propozuar, sipas pikave 4 dhe 5, të këtij vendimi, shprehet me shkrim për pranimin ose jo të tij.

Drejtori i Përgjithshëm i Gardës së Republikës, pas marrjes së dakordësisë, nxjerr urdhrin e transferimit të punonjësit dhe ia përcjell atë institucionit kërkues, së bashku me dosjen personale.

Drejtori i Përgjithshëm i Gardës së Republikës ka të drejtë që për nevoja pune të kërkojë rikthimin e punonjësit në Gardën e Republikës, para plotësimit të afatit të transferimit, por jo më parë se 6 (gjashtë) muaj nga transferimi.

Punonjësi i transferuar pranë strukturave/institucioneve të tjera me gradë, në varësi të ministrisë, sipas këtij vendimi, në përfundim të periudhës së qëndrimit në detyrë, ka të drejtë të rikthehet në strukturat e Gardës në një funksion, në përputhje me gradën që mban aktualisht.

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKompensim për strehimin dhe transferimin e punonjësve të Gardës, publikohen procedurat
Artikulli tjetërQeveria ngarkon AKPT për realizimin e konkursit të projektimit të “Tirana Expo”