TIRANË, 23 gusht/ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe drejtues të tjerë të lartë në Drejtorinë e Përgjithshme, mirëpritën një delegacion me përfaqësues nga Bordi Kombëtar kundër Narkotikëve i Indonezisë dhe nga Ambasada e Indonezisë.
Vizita synon krijimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet 2 agjencive, ura të cilat do të shërbejnë për të goditur grupet kriminale me shtrirje të gjerë botërore, që merren me trafikimin e lëndëve narkotike.
Bashkëpunimi u dakordësua të zhvillohet përmes krijimit dhe konsolidimit të kanaleve për shkëmbimin e informacioneve, si dhe përmes aplikimit të modeleve më të mira që ndjekin këto polici, në luftën kundër trafikimit të lëndëve narkotike.
Gjatë takimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe kryetari i delegacionit, drejtuesi i Bordit Kombëtar kundër Narkotikëve i Republikës sē Indonezisë, Petrus R.Golose, shprehën gatishmërinë e 2 organizatave për të bashkëvepruar për betejat e përbashkëta, për të finalizuar operacione me impakt global, si dhe për të garantuar siguri publike për qytetarët e të dy vendeve.
Në përfundim të vizitës, Drejtori i Përgjithshëm, përmes një dokumentari, i njohu anëtarët e delegacionit, me historikun e Policisë së Shtetit shqiptar, me parimet mbi të cilat organizohet dhe funksionon sot ajo, si dhe me rezultatet e këtij viti, në luftën e përditshme kundër fenomeneve kriminale./m.m/























