TIRANË, 22 gusht/ATSH/ Nisi sot etapa e dytë e “Kupës së Shqipërisë – Korçë 2023” për çiklizëm, organizuar nga Federata Shqiptare e Çiklizmit, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe bashkitë e qarkut Korçë.
Etapa e së martës nisi në ora 10:00 me itinerar: qyteti i Korçës-Maliq-Drithas-Plasë-Korçë. Në të marrin pjesë kategori dhe grupmosha të ndryshme.
Ndërsa etapa e parë u zhvillua ditën e djeshme në ora 16:00, me itinerar: fshati Piskupat, Pogradec-Unazë e Madhe, Pogradec-Bilisht-Korçë.
Prefekti i Qarkut Korçë, Nertil Jole tha se, janë marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, sigurimin e qarkullimit të lirë dhe pa rreziqe për garuesit, si dhe parandalimin e ngjarjeve rrugore dhe kërkon mirëkuptimin e përdoruesve të rrugës, për ndalimin e qarkullimit të mjeteve, në akset rrugore të lartpërmendura, nga momenti i fillimit të këtij aktiviteti (sipas orarit të paracaktuar) deri në përfundim të tij.
Jole, ka uruar Federatën e Çiklizmit dhe Presidentin e saj, Skënder Anxhaku, për këtë organizim që nxit njerëzit të duan sportin, lëvizjen dhe aktivitetin fizik, por edhe që promovon natyrën e mrekullueshme të qarkut Korçë.























