TIRANË, 21 gusht/ATSH/ Niveli i përgjithshëm i çmimeve (inflacioni), i matur sipas metodës së EUROSTAT-it, u rrit në 5 % në muajin korrik.
Sipas Institutit të Statistikave (INSTAT), rritja më e madhe e çmimeve prej 10.8 % vërehet në grupin “argëtim dhe kulturë”, pasuar nga grupet “ushqime dhe pije joalkolike” me 9.2 %, “mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 6.2 %, “hotele, kafene dhe restorante” me 4.5 %, “veshje dhe këpucë” me 4.3 %.
Nga ana tjetër, çmimet e grupit “transporti” u ulën me 7.1 %.
Referuar raportit, në muajin korrik 2023, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është -0,2 %. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të grupit “argëtim dhe kulturë” me 1.3 %.
Inflacioni i eurozonës matet mbi bazën e treguesit të IHÇK-së. Termi “i harmonizuar” nënvizon faktin që të gjitha vendet e BE-së zbatojnë të njëjtën metodologji në matjen e treguesit përkatës.
























