Ballina Flash

Teatri Eksperimental, shfaqje në Kalanë e Lëkursit, në Sarandë

TIRANË, 15 gusht/ATSH/ Një ndër stacionet e sezonit veror “KultArt” 2023 është dhe shfaqja e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, e cila do të zhvillohet në Kalanë e Lëkursit, në Sarandë.

Teatri Eksperimental do të sjellë mbrëmjen e 16 gushtit shfaqjen “Gruaja e thyer”, dramë e përshtatshme për një publik mbi 16 vjeç.

Muriel, 43 vjeç, pas pesë vitesh që jeton e vetme dhe e mbyllur në apartamentin e saj, mezi pret të nesërmen për t’u takuar me bashkëshortin dhe të birin e mitur, që jeton me të atin. Një shfaqje kontemporane, ku gjithçka buron nga e brendshmja e personazhit: lëvizja trupore, fjala, imazhi, muzikaliteti, e kënduara dhe e luajtura e muzikës “live”.

Kjo shfaqje ka pasur mbështetjen e Bashkisë Sarandë dhe të Ministrisë së Kulturës.

Ministrja Margariti ftoi të shkarkohet aplikacioni TEA për të qenë më të informuar mbi ngjarjet artistiko-kulturore që ofron ky sezon dhe që me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, po shkojnë atje ku është publiku.

“Me entuziazmin që dhuron folklori, me shfaqje për fëmijë, teatër e panaire artizanati vijon kalendari kulturor veror në qytetet ku shqiptarë e turistë të huaj kanë zgjedhur të pushojnë”, është shprehur Margariti.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakIshin bllokuar në mal, Policia shpëton 2 turistë francezë pas tetë orëve kërkim
Artikulli tjetërBM – Rritet shkalla e papunësisë