TIRANË, 3 gusht/ ATSH/ Finalizohet faza e 34-t e megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Territor i pastër”. Gjatë periudhës pesëditore të zhvillimit të kësaj faze, u asgjësuan 910 bimë narkotike kanabis që u gjetën të kultivuara në fshatra të ndryshme të malësisë së Krujës.
Policia e Tiranës, njofton se më parë, në kuadër të këtij operacioni, janë gjetur dhe asgjësuar 22 973 bimë narkotike kanabis.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë kanë vijuar intensivisht kontrollet në malësinë e Krujës dhe në fshatra të ndryshme të rrethit, duke përdorur dhe dronë, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike. Si rezultat i kontrolleve të ushtruara në kuadër të fazës së 34-t të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Territor i pastër”, në malësinë e Krujës, u gjetën të kultivuara 910 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies”, njofton Policia.
“Megaoperacioni policor antikanabis i koduar “Territor i pastër”, vijon. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”, përfundon Policia e Tiranës.
/r.e/























