Ballina Aktualitet

Basha: Hetim parlamentar për fondet IPARD

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi këtë të mërkurë një takim me drejtuesit politikë të qarkut të Vlorës, ku u bëri me dije se selia blu do të kërkojë hetim parlamentar për fondet IPARD.

Takimi, bën të ditur Basha përmes rrjeteve sociale, vjen në kuadër të punës për riorganizimin e selisë blu.

“Në Vlorë, me drejtuesit politikë të këtij Qarku, nisëm punën për riorganizimin dhe modernizimin e Partisë Demokratike dhe aksionin politik, për t’u ofruar shqiptarëve një opozitë të fortë, efikase dhe alternativën që ata presin dhe meritojnë”, deklaron Basha.

“Qytetarë të varfër, korrupsion i lartë. Ky është realiteti që u pa edhe nga Dosja e Inceneratorëve ku qeveria është përgjegjëse për vjedhjen e 430 milionë eurove nga xhepat e qytetarëve”, vijon Basha.

Kreu i Partisë Demokratike tha se do të kërkohet dhe hetim parlamentar për fondet IPARD.

“Vendimi i Brukselit për pezullimin e granteve për bujqësinë të programit IPARD tregon babëzinë e kësaj qeverie, që abuzon edhe me fondet e BE.

Prandaj ne do të kërkojmë: Hetim parlamentar të fondeve IPARD, ku paratë e taksapaguesve europianë u devijuan për projekte dhe afera korruptive.

Fundi i pandëshkueshmërisë së korrupsionit në nivelet e larta është fillimi i fundit të tranzicionit dhe ndryshimi i vërtetë që shqiptarët presin”, nënvizon Basha.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKanadaja vendos paralajmërim “të dëmshëm për shëndetin” në çdo cigare
Artikulli tjetërLamborghini feston 60 vjetorin mes ngjyrave të larmishme dhe teknologjisë