Ballina Ekonomi

Rama: Korridori 8, ëndërr e vjetër që po realizohet në terren

TIRANË, 31 korrik/ATSH-Maela Marini/ Korridori 8 është një tjetër projekt madhor që po çohet para mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Kështu u shpreh sot kryeministri Edi Rama, i cili ishte i pranishëm në pikën kufitare të Qafë Thanës, ku nga sot hyn në fuqi programi i ri kufitar “Një ndalesë – Një kontroll” mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Duke folur për Korridorin 8, Rama tha se është një ëndërr shumë e vjetër të cilës i ka ardhur dita të realizohet.

“Në të dyja anët e kufirit tanimë po punohet konkretisht në terren për ndërtimin e këtij Korridori. Ne kemi dy kantiere të hapura dhe jemi në prag të hapjes së dy kantiereve të tjera, sepse e kemi ndarë në 4 pjesë ndërtimin e Korridorit 8”, informoi kryeministri.

Sipas tij, janë bërë shumë përpjekje për rizgjimin e këtij projekti si pjesë e një të shkuare të ish-rrugës Egnatia dhe si pjesë e rrjetit europian të infrastrukturës.

“Ka qenë shumë e vështirë dhe më në fund ja kemi dalë në Samitin e Tiranës mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Kjo na jep një tjetër energji pozitive por na jep edhe një tjetër burim të rëndësishëm mbështetje nga BE. Për këtë arsye kemi pasur para pak ditësh një samit në Itali me ministrat e Jashtëm të Italisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe të Bullgarisë”, shtoi ai.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKIEV – Trupat ukrainase rifitojnë 15 kilometra katrorë territor
Artikulli tjetërÇmimet e reja të referencës për ndërtesat, Caka: Reflektohet në rritje taksash