Ballina Flash

Shkodër, aksion për lirimin e hapësirave publike nga mbi 40 mjete të braktisura

TIRANE, 26 korrik/ATSH/ Bashkia e Shkodrës, në kuadër të vazhdimit të procedurave për lirimin e hapësirave publike, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, referuar legjislacionit përkatës, pas tri ditësh do të nisë aksionin për lirimin e hapësirave publike të zëna nga automjetet e braktisura, brenda territorit të bashkisë.

Sipas bashkisë, vetëm në qytetin e Shkodrës, janë konstatuar deri tani mbi 40 mjete të braktisura, që zënë hapësirat publike prej kohësh.
Sot, nga administratorët e rajoneve të qytetit dhe policia bashkiake, janë vënë njoftimet paralajmëruese në automjetet e braktisura dhe pa targa për heqjen e tyre vullnetarisht, brenda afatit treditor, ndërsa për mjetet me targa po procedohet edhe me njoftimin e pronarëve apo institucioneve që i përkasin.
Në të kundërten, sqaroi bashkia, largimi i automjetit do të bëhet nga Bashkia Shkodër në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në zbatim të dispozitave ligjore në fuqi.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRrezikoi jetën e pushuesve në Ksamil, bllokohet skafi
Artikulli tjetër“Të prezantoj babain” mbledh artdashës në amfiteatrin antik të Durrësit