Ballina Ekonomi

Integrimi, diskutohen zhvillimet për sigurinë ushqimore sipas BE-së

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ U zhvillua sot në Bruksel dita e dytë e takimit shpjegues për Kapitullin 12, “Siguria Ushqimore, Veterinaria dhe Politikat e Fitosanitetit”.

Ky takim u drejtua nga Simona Gatti, përfaqësuese e Komisionit Evropian dhe gjatë fundit të sesionit nga kryetari Marc Jorna, nga Adea Pirdeni, zv/kryenegociatore e Republikës së Shqipërisë dhe Arian Jaupllari, negociatori për Kapitullin 12.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e Komisionit Evropian prezantuan një tablo të përgjithshme të legjislacionit bazë dhe atij të përditësuar të Bashkimit Evropian për çështjet në lidhje me Ligjin për Ushqimin, rregulloren e Transparencës, rregullat e higjienës, rregullat specifike dhe të kontrollit të produkteve të kafshëve, aditivët për ushqim dhe ushqimeve për kafshë, cilësia e farave dhe materialit mbjellës bimor, shëndeti i bimëve, platforma TRACES, kontrollet e importit.

Në fund të takimit, përfaqësuesi i Komisionit Evropian, Marc Jorna, nënvizoi faktin se Kapitulli 12 është një kapitull shumë i rëndësishëm dhe jo i lehtë.

Gjatë zhvillimit të takimit bilateral, pritet që Shqipëria të tregojë statusin e saj aktual mbi gatishmërinë e kapaciteteve për të qenë pjesë e kontrolleve dhe organizimeve në Bashkimin Evropian.

Në këtë kuadër është shumë e rëndësishme që vendi ynë të vijojë me përafrimin e legjislacionit kombëtar me atë të Bashkimit Evropian.

Shqipëria mund të ndjekë dhe vendosë standardet e saj, por këto standarde duhet të përafrohen me standardet e BE-së për të qenë sa më pranë rrugës së Bashkimit Evropian.

Sikurse është dakordësuar, axhenda për takimin bilateral duhet dërguar 6 javë përpara datës së zhvillimit të këtij takimi. Pala evropiane konfirmoi se kjo axhendë do të dërgohet në fund të muajit gusht.

Gjithsesi, duke marrë në konsideratë informacionin e dhënë gjatë takimit të parë shpjegues në vitin 2019 e deri më tani, institucionet shqiptare kanë në dispozicion një informacion të mjaftueshëm, i cili mund t’i shërbejë si një bazë e mirë për të filluar punën përgatitore të takimit bilateral, parashikuar të zhvillohet në datat 9-13 tetor 2023.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVdes në moshën 96-vjeçare legjenda e xhazit, Tony Bennett
Artikulli tjetërKushi firmos Memorandumin e Mirëkuptimit me British Council: Sjell bashkëpunim më të ngushtë edhe në arsimin e lartë