Ballina Bota

FOKUS – Mbërrin Bard sfida e Google për ChatGpt

ROMË, 13 korrik /ATSH-ANSA/ – Mbërriti në Evropë Bard, softueri gjenerues i inteligjencës artificiale nga Google, një konkurrent i drejtpërdrejtë i ChatGpt.

“Bard mbështet informacionin në web për të ofruar përgjigje të përditësuara dhe me cilësi të lartë. Ne folëm me ekspertë, ligjvënës dhe organe rregullatore, përfshirë Garantuesit e Mbrojtjes së të Dhënave, për të kuptuar këndvështrimin dhe indikacionet e tyre”, tha kompania Google.

”Ne kemi marrë masa për të ndihmuar njerëzit të menaxhojnë informacionin me përgjegjësi”, theksoi ajo.

“Bard është një përvojë ndryshe nga kërkimi në Google, një paradigmë e re në mënyrën se si ne përdorim kompjuterët”, shpjegoi Jack Krawczyk, drejtor i produktit në Google, në një telefonatë duke shtuar se Bard është i arritshëm për të gjithë.

”Zgjerimi i chatbot-it është më i madhi deri më sot, qasja jonë është ambicioze dhe e përgjegjshme. Bard mund të ndërveprohet në më shumë se 40 gjuhë, përfshirë arabishten, kinezishten, gjermanishten dhe hindu”, shtoi ai.

Google paralajmëron se “Bard ndonjëherë mund të bëjë deklarata të pasakta në përgjigje të një kërkese të përdoruesit”.

“Nëse merrni një përgjigje që e konsideroni të pasaktë ose të papërshtatshme ose nëse hasni një problem ose nëse thjesht dëshironi të dërgoni një raport, ekziston një mënyrë e thjeshtë për të lënë një koment. Ju gjithashtu mund të zgjidhni sa kohë doni që Bard të ruajë të dhënat tuaja në llogarinë tuaj të Google”, tha kompania./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNis reduktimi i forcave policore në objektet komunale në veri
Artikulli tjetërRama: Edicioni i 11-të i “Turtle Fest” vjen në Dhërmi këtë fundjavë