Ballina Aktualitet

Berisha për emërimin e Ballës: Dorëzohet rendi në duart e bandave

TIRANË, 10 korrik/ATSH/ Kryetari i grupit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot se “emërimi në krye të Ministrisë së Brendshme i Taulant Ballës e dorëzon në mënyrën përfundimtare rendin në duart e bandave të krimit të organizuar”.

Berisha u shpreh se emërimi i Ballës erdhi pas ngjarjes në Fushë-Krujë, ku Rama nuk dënoi me asnjë fjalë të vetme barbarinë e klanit mafioz të Rrajave.

“Ai urdhëroi me Twitter, shkarkimin e ministrit të familjes, Çuçi dhe emërimin në vend të tij të Taulant Ballës dhe dorëzimin e kumbarës së klanit Rraja, deputet shumë i vlerësuar nga Edi Rama”, tha Berisha.

Sipas tij, “Taulant Balla është politikani më i inkriminuar, më i akuzuar në 32 vite për lidhje konkrete, direkt të fuqishme me trafikun e drogës, vrasjet mafioze dhe krime të tjera”.

Berisha u shpreh se me emërimin e Ballës, për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, emërohet ministër një person që ka aktualisht dy hetime penale të hapura, njëri kombëtar dhe tjetri ndërkombëtar.

“Balla është i akuzuar në parlament si pritës i 5 milionë eurove para të sjella në Shqipëri me veturat ‘Toyota Yaris’. Ai këtë akuzë të bërë nga Lulzim Basha e ka mbyllur në Shqipëri, por jo në Belgjikë, ku hetohet bashkë me akuzuesin e tij. Balla është thirrur disa herë në SPAK për lidhjet e tij me Gentian Sharrën dhe ndërhyrjet e tij korruptive për dhënien e paligjshme të tenderave te kompania e bashkëshortes së Gentian Sharrës”, shtoi Berisha.

/m.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKonflikti në Borizanë, Policia e Shtetit: Policia e Krujës ka kryer të gjitha veprimet e nevojshme procedurale për këtë rast
Artikulli tjetërKremtohet në Korçë 80-vjetori i krijimit të Ushtrisë Nacionalçlirimtare