TIRANË, 4 korrik/ATSH/ Rreth 140 të rinj, pjesë e 59 Këshillave Vendorë Rinorë, u bënë pjesë e kampit “Rinia vlerëson”.
Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi u shpreh se temë e bisedimeve ishte Strategjia Kombëtare e Rinisë.
“Vjet zhvilluam kampin ‘Rinia Vendos’, ku të rinjtë e 35 bashkive na u bashkuan për të vendosur për të ardhmen e tyre, për të vendosur mbi Strategjinë Kombëtare të Rinisë, ndërsa këtë vit ‘Rinia Vlerëson’, ku të gjithë së bashku vlerësuam për çka vendosëm vjet”, u shpreh Muzhaqi.
“U mblodhëm me rreth 140 të rinj, pjesë e 59 Këshillave Vendorë Rinorë, me ekipin e Rinisë, Roberto de Benardi nga UNICEF Albania, Eljona Elmazi nga World Vision Albania, Alqi Kushi nga Agjencia Kombëtare e Rinisë, Benard Zeneli, ekspert i jashtëm për SKR29 dhe diskutuam për SKR29, masat e ndërmarra dhe impaktin e tyre në qytetet respektive të të rinjve”, informoi ministrja.
Muzhaqi theksoi faktin se të rinjtë gëzojnë mendim kritik dhe ide brilante.
“Shumë e lumtur që të rinj nga e gjithë Shqipëria gëzojnë mendim kritik, ide brilante dhe janë gjithmonë aty, gati për të ngritur zërin për bashkëmoshatarët e tyre dhe brezat e ardhshëm. Për më tepër, ndanë me shumë dëshirë eksperiencat e tyre si anëtarë të KVR-ve, duke marrë dhe ide të reja për t’i implementuar në qytetet e tyre. Në përfundim të sesioneve dhe bisedimeve, të rinjtë plotësuan pyetësorin për vlerësimin e jashtëm të SKR29, i cili na ndihmoi për të kuptuar më shumë rreth zbatimit të suksesshëm të strategjisë në nivel kapilar”, tha Muzhaqi.
/m.m/r.e/























