Ballina Aktualitet

Policia kontrolle në kampin e MEK në Manzë

TIRANË, 20 qershor/ATSH/ Policia e Shtetit njoftoi sot se ka nisur një kontroll operacional në kampin e MEK, në Manzë të Durrësit.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, kontrolli vjen në kuadër vendimit të marrë nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

“Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të urdhrit të ekzekutimit të Prokurorisë pranë kësaj Gjykate, për kontrollin e të gjitha ambienteve dhe zyrave ku  banojnë për qëllime humanitare, Policia e Shtetit, në kuadër të një plani operacional, ka filluar kontrollin e të gjitha ambienteve dhe zyrave në kampin MEK, në Manzë, Durrës”, njofton Policia e Shtetit.

“Në zbatim të urdhërkontrolleve të nxjerra nga Gjykata, Policia e Shtetit ka marrë masa për zbatimin e tyre, me planin e kontrollit të ambienteve në territorin e kampit MEK, duke zbatuar me rigorozitet etikën dhe komunikimin e duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve dhe komunitetit që banon në këtë kamp”, theksohet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Në njoftimin e saj, Policia e Shteti sqaron se, në përfundim të kontrolleve do të ketë njoftim më të detajuar.

/gj.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKupat e Europës, “Tirana” zyrtarizon blerjen e Gledi Micit
Artikulli tjetërFRANCË – Macron: Belgjika i bashkohet projektit të avionëve luftarakë franko-gjerman