TIRANË, 19 qershor/ATSH/ Më 19 qershor të vitit 1988 u nda nga jeta aktorja Marie Logoreci.
Në rini ndoqi shkollën femërore katolike të “Motrave Stigmatine” dhe më pas gjimnazin e Shkodrës. Bashkë me dëshirën për aktrim, lëvroi edhe artin e muzikës. Shpeshherë, zëri i saj i ngrohtë do të ndeshej në valët e Radio Tiranës, si edhe në korin e sapokrijuar të shtetit.
Logoreci do të dëshmonte për gurthemelin e kinematografisë shqiptare, teksa nisi të interpretojë në filmat “Skënderbeu”, “Fëmijët e saj”, “Tana”, “Toka Jonë”, si edhe në realizimin e rolit të Lokes, personazhit shumë të dashur për publikun, ku interpretoi përkrah Ndrek Lucës, Mario Ashikut e Roza Anagnostit.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell në këtë ditë përkujtimi, vendimin e Këshillit të Ministrave dhe relacionin e Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës për dhënien e titullit “Artiste e Popullit” aktores Marie Logoreci.
Presidenti Nishani e dekoroi, pas vdekjes, me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”.
/r.e/





















