Ballina Flash

Lugina e Tropojës, oaz i shumë mrekullive natyrore

TIRANË, 7 qershor/ATSH/ Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura solli pamje nga Lugina e Tropojës, pjesë e Parkut Kombëtar “Alpet e Shqipërisë” duke ftuar drejt një destinacioni tashmë mjaft të kërkuar sidomos nga turistët e huaj, pasi përbën një oaz të shumë mrekullive natyrore.

Lugina e Tropojës është pjesë edhe e shtegut turistik “Tropojë e Vjetër-Myhejan-Sylbicë”, ndër më të kërkuarat nga turistët.
Rrugëtimi në këtë shteg përbën një eksperiencë të rrallë me florën e pasur, e cila nis nga pyjet e vjetër të Ahut deri në kullotat alpine, ku ndodhen edhe monumentet e natyrës, liqeni i Sylbicës dhe liqeni i Dashit.
Pak të njohur deri tani, këto destinacione janë për mos t’u humbur për të gjithë dashamirët e natyrës dhe trashëgimisë.
Liqeni i Dashit ka nisur të frekuentohet më shpesh nga turistët, sidomos në ditët e nxehta të verës. Ky liqen ndodhet në 2180 metra lartësi brenda Parkut Kombëtar “Alpet e Shqipërisë”.

Ky liqen është një nga liqenet më të mëdhenj akullnajorë që ruan në të katër stinët e vitit të njëjtin nivel ujor, i ndodhur mes kullotave alpine të Parkut Kombëtar të Alpeve të Shqipërisë.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – BM: Njerëzimi i rrezikuar nga IA-ja
Artikulli tjetërRestaurim banesës me dy peristile në Parkun Arkeologjik të Finiqit