Ballina Bota

BRUKSEL – KE procedurë të re shkeljeje kundër Polonisë

BRUKSEL, 7 qershor /ATSH-DPA/ – Komisioni Evropian do të hapë një procedurë të re shkeljeje kundër Polonisë, lidhur me një ligj të diskutueshëm që kërkon mbledhjen e një komiteti hetimor për ndikimin rus.

“Një dokument që kërkon informacion të mëtejshëm do të dërgohet në Varshavë”, njoftoi sot zëvendespresidenti i Komisionit Evropian, Valdis Dombrovskis.

Kritikët kanë akuzuar qeverinë konservatore të partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS) se synon të diskreditojë liderin e opozitës dhe ish-kryeministrin Donald Tusk, me ligjin e ri përpara zgjedhjeve parlamentare në vjeshtë.

Sipas ligjit polak, një komitet hetimor do të shqyrtojë nëse zyrtarët publikë iu nënshtruan ndikimit rus midis 2007 dhe 2022 dhe morën vendime që ishin të dëmshme për sigurinë e vendit.

Kjo përfshin lidhjen e kontratave që mund të favorizojnë ndikimin rus dhe zbulimin e informacionit përkatës palëve të treta.

Pas kritikave nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidenti polak Andrzej Duda propozoi të premten disa ndryshime në legjislacion, të cilin ai e nënshkroi disa ditë më parë.

Sipas propozimeve të reja, komisioni nuk do të jetë në gjendje të vendosë penalitete.

Tusk ishte kreu i qeverisë polake nga viti 2007 deri në 2014 dhe shërbeu si president i Këshillit Evropian, në Bruksel nga viti 2014 deri në 2019.

Qeveria e PiS e akuzon, ndër të tjera, për lidhjen e kontratave të pafavorshme të gazit me Rusinë.

Vendet që marrin një njoftim për shkelje nga Brukseli zakonisht kanë dy muaj kohë për t’u përgjigjur.

Komisioni mund t’i çojë në gjykatë vendet anëtare, ligjet kombëtare të të cilëve vazhdimisht nuk janë në përputhje me ligjin e BE-së.//a.i/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKOPENHAGË – Numri i personave të vrarë nga konflikti rritet me gati 100%
Artikulli tjetërRama: “National Geographic” zbulon Rivierën shqiptare, parajsa e panjohur e Mesdheut