TIRANË, 3 qershor/ATSH/ Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin dhe kontrollin e Prokurorisë së Posaçme, arrestuan në flagrance në datën 02.06.2023 shtetaset J. D. Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale dhe shtetasen L. Sh. specialiste e nivelit të lartë në Agjensinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara.
SPAK bën të ditur se nga ndjekja me metoda speciale të hetimit janë grumbulluar prova të cilat kanë evidentuar se, një operator ekonomik do të jepte një përfitim të parregullt (në formën e shumave monetare) me qëllim shpalljen fitues në një procedure prokurimi të zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale.
Prokurimi në fjalë ishte me supervizim për rikonstruksionin e disa qendrave shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës.
“Pas kryerjes së disa veprimeve hetimore, u krijuan dyshime se shtetësja J. D., me detyrë Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale ka marrë një përfitim të parregullt në shumën prej 330.000 (treqind e tridhjetë mijë) lekë, për të favorizuar një operator ekonomik. Këto vlera monetare u dhanë nga shtetësja L. Sh., me detyrë specialiste e nivelit të lartë në Agjensinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara”, thuhet në njoftimin e SPAK-ut.
Gjithashtu në zyrën Sekretares së Përgjithshme u bë e mundur edhe sekuestrimi në cilësinë e proves materiale të shumës prej 330 000 (treqind e tridhjetë mijë) lekë (shumë e cila përbën përftimin e parregullt të dhënë nga shtetësja L. Sh.).






















