Ballina Flash

Peach: Veprimet e Qeverisë së Kosovës, të pamatura

PRISHTINË, 31 maj /ATSH/ I dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, ka vlerësuar se vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i dërguar kryetarët e zgjedhur në objektet komunale në veri është i pamatur.

Sipas tij, ky vendim ka pasur pasoja shumë të dëmshme.

Deklarata e lordit Peach është publikuar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë.

Aty bëhet e ditur se, përveç kryeministrit Kurti, Peach ka takuar edhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, KFOR-in dhe ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Ai ka deklaruar se vizita e tij në Kosovë vjen në një kohë serioze.

“Në takimet me qeverinë kam dhënë një mesazh shumë të qartë: veprimi i Qeverisë së Kosovës për të instaluar kryetarët e komunave në ndërtesat komunale me forcë, ka qenë i pamatur dhe ka pasur pasoja të dëmshme. Është e nevojshme që të gjitha palët të de-përshkallëzojnë situatën tani”, ka thënë emisari britanik.

Ai ka theksuar se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të qëndrojë krah Kosovës por sipas tij, veprimet e njëanshme do ta bëjnë këtë më të vështirë.

“Unë kam ndjekur nga afër ngjarjet dhe kam folur me kolegë në Uashington, Bruksel dhe më gjerë. Ato biseda më kanë bërë të qartë se ngjarjet e fundit kanë dëmtuar imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe reputacionin e saj me aleatët e saj. Mbretëria e Bashkuar i ka qëndruar Kosovës në kohët më të mira dhe më të këqija, si mike dhe mbështetëse dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë, por veprimet e njëanshme vetëm sa do ta bëjnë këtë edhe më të vështirë”, ka thënë Peach./KosovaPress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTrupa shtesë të NATO-s në gatishmëri për dislokim në Kosovë
Artikulli tjetërKISHINEV – Von der Leyen: BE paketë të re masash mbështetëse për Moldavinë