TIRANË, 28 maj/ATSH/ Zëvendësministrja e Brendshme, Romina Kuko mori pjesë në Forumin e Lidershipit organizuar në kuadër të “BeyondExpo Tech for People” në Selanik, Greqi.
Kuko bëri të ditur se, gjatë forumit u diskutua mbi sigurinë kibernetike, luftën kundër dezinformimit dhe mbrojtjen e të dhënave.
“Është e qartë se teknologjia ka sjellë sfida të reja për sigurinë dhe besueshmërinë e informacionit, dhe është detyra jonë t’i përgjigjemi këtyre sfidave me përgjegjësi”, u shpreh ajo.
Sipas Kukos, teknologjia ka krijuar mundësi të reja për përhapjen e informacionit të rremë, por inteligjenca artificiale mund të jetë mjeti i fortë për t’i dhënë fund kësaj sfide.
“Inteligjenca artificiale (AI) mund të identifikojë, analizojë dhe vlerësojë informacionin me një shpejtësi dhe precizion të lartë. Nëpërmjet algoritmeve të zgjuara, AI mund të zbulojë modelet e dezinformimit dhe të ndihmojë në shpërndarjen e informacionit të saktë”, tha Kuko.
Zv/ministrja u shpreh se, Tirana me potencialin e saj në teknologji premton shumë për t’u bërë një hub serioz në teknologji dhe të përqafojë të ardhmen.
/gj.m/













