Ballina Flash

Betimi i kryetarëve të rinj në veri, QUINT-i: Palët të përmbahen nga veprimet që ndezin tension

TIRANË, 19 maj/ATSH/ Sot kur pritet të betohet kryetari i ri në veri të Mitrovicës, shtetet e QUINT-it edhe njëherë i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga përdorimi i forcës ose nga veprimet që ndezin tension.

Përmes një deklarate të përbashkët, nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Italia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar u kanë bërë thirrje të gjithë aktorëve që urgjentisht të punojnë së bashku me të gjitha palët e interesuara, përfshirë komunitetet lokale, drejt një zgjidhjeje që siguron demokraci të qëndrueshme, përfaqësuese, pjesëmarrëse, në katër komunat veriore.

Ndonëse i mbështetën zgjedhjet e 23 prillit, të cilat u bojkotuan nga një pjesë e konsiderueshme e komunitetit serb, në deklaratë theksohet edhe njëherë se rezultatet nuk janë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna.

“Ne u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve që urgjentisht të punojnë së bashku me të gjitha palët e interesuara, përfshirë komunitetet lokale, drejt një zgjidhjeje që siguron demokraci të qëndrueshme, përfaqësuese, pjesëmarrëse, në këto komuna.

Nuk duhet të ketë veprime apo iniciativa – përfshirë kryetarët e sapozgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale – që nuk i shërbejnë popullit ose që mund të rrisin tensionet. Kjo përfshin ushtrimin e më shumë se kompetencave administrative dhe procesin e marrjes së detyrës pasi nuk ka kërkesë që kryetarët e komunave të bëjnë betimin në zyrat komunale. Të gjitha palët duhet të përmbahen nga përdorimi i forcës ose veprimet që ndezin tensionet ose nxisin konfliktin”, thuhet në deklaratë.

Shtetet e QUINT-it shprehur sërish mbështetjen për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë nevojën për progres urgjent për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. /KosovaPress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMUZIKË – Vdes Andy Rourke, basisti i grupit ”The Smiths”
Artikulli tjetërTë ardhurat nga tatimi mbi fitimin, 25.8 miliardë lekë