Ballina Aktualitet

Dule: Të lirohet Fredi Beleri, mbahet në burg mbi bazë dyshimesh

TIRANË, 18 maj /ATSH – I. Vata/ Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule deklaroi sot se Fredi Beleri, kandidati i “Bashkë Fitojmë” në Himarë është i burgosur politik dhe duhet të lirohet nga burgu.

Nga seanca e Kuvendit, Dule foli për arrestimin e  Fredi Beleri, kryetarit të sapozgjedhur në Himarë, por që ndodhet në burg i arrestuar në flagrancë mesnatën e 12 majit me akuzën për “korrupsion aktiv në zgjedhje kryer në bashkëpunim”.

Ai tha se “jemi mësuar në proceset zgjedhore edhe me shpifjen edhe me denigrimin edhe me gjuhën e urrejtjes, edhe me blerjen e votës dhe kujtuam se i kemi parë të gjitha por sekti në pushtet na surprizoi sërish dhe arroganca i çoi në aktin që dëshmon tiraninë. Arrestimin e kandidatit rival dhe më pas fituesin e zgjedhjeve. Kush nuk shkon pas komandantit ndëshkohet. Komuniteti që guxon të krijojë liri do ta paguajë. Ai që i prin komunitetit në kërkim të demokracisë, ai burgoset”.

“Kryetari i zgjedhur i bashkisë Himarë Fredi Beleri është i burgosur politik, i marrë peng nga Kryeministri Edi Rama. Fjalën e ka drejtësia por ka edhe një logjikë opinioni. Beleri është arrestuar në flagrancë për dyshime. Fredi Beleri duhet të lirohet dhe të shkojë në komunitetin e tij. Është marrë peng edhe Pandeli Kokaveshi, me të njëjtat akuza. Është një i ri i cili ka bërë transplant zemre. Edhe pse i kam njoftuar të gjithë se atij i rrezikohet jeta ai vazhdon të mbahet peng. Në Himarë më të vjetrit më kujtonin 1945-ën, edhe atëherë votuan kundër regjimit. Edhe atëherë u syrgjynosën. Ku po e çoni vendin? Deri sa do ta mbështesni një autokritikat, i cili po e zhyt në errësirën e Tiranës vendin?”, tha Dule.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak​Mbrojtja e Thaçit kërkon seanca publike në Hagë
Artikulli tjetër“Pranverë në Niket”, koncert për 60-vjetorin e shkollës “Niket Dardani”