TIRANË, 17 maj /ATSH/ Norma e interesit ose yield-et e bonove 12-mujore pësuan rënie në ankandin e kësaj jave.
Sipas Bankës së Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar i këtyre instrumenteve zbriti në nivelin 3.56 %.
Rënie të lehtë pësoi edhe yield-i i bonove me maturim 3-mujor, në 3.01 %, nga 3.05 % që kishte qenë në ankandin e muajit të kaluar.
Rënia e vazhdueshme e yield-eve, shpjegohet më së shumti me kërkesën dhe pjesëmarrjen e lartë të investitorëve në ankande.
Nga 9 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në ankandin e kësaj jave u paraqitën kërkesa totale në vlerën e 15 miliardë lekëve.
Nga 28 kërkesa konkurruese u pranuan vetëm katër të tilla.
Aktorët e tregut kanë shfaqur kërkesë relativisht të lartë për të investuar në tituj qeveritarë, sidomos në bono thesari. Përballë kësaj kërkese, qeveria e rriti huamarrjen në tremujorin e parë me 12.7 miliardë lekë. Individët financuan pjesën më të madhe të kësaj shtese, rreth 76 %.
Bonot 12-mujore janë edhe instrumenti më i përdorur benchmark në tregun e brendshëm financiar, në përcaktimin e normave të interesit të kredive me interes të ndryshueshëm në lekë.
/r.e/























