TIRANË, 15 maj/ATSH-Maela Marini/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi bëri të ditur se, deri në orën 17:00 ka përfunduar numërimi i votave për kryetarë bashkie në 44 bashki.
Në një komunikim me mediet, Celibashi u shpreh se, ndërkohë kanë mbetur edhe nga një qendër votimi pa u numëruar në Divjakë dhe Shkodër dhe nga 2 qendra votimi pa numëruar në Lezhë dhe Dibër.
Celibashi tha se, ka përfunduar procesi i numërimit në: Vlorë, Korçë, Berat, Lushnjë, Maliq, Sarandë, Kuçovë, Vau i Dejës, Cërrik, Patos, Devoll, Librazhd, Rrogozhinë, Dimal, Finiq, Peqin, Bulqizë, Mirditë, Selenicë, Gramsh, Belsh, Roskovec, Himarë, Prrenjas, Tropojë, Dropull, Has, Përmet, Memeliaj, Klos, Kolonjë, Delvinë, Skrapar, Poliçan, Tepelenë, Pukë, Konsipol, Këlcyrë, Fushë-Arrëz, Libohovë, Pustec, Kamzë, Elbasan dhe Vorë.
Sipas Celibashit ka përfunduar procesi i numërimit për këshillat bashkiakë edhe në Elbasan, Kamzë, Vorë, Pustec dhe Libohovë.
Lidhur me pjesëmarrjen, Celibashi tha se, ka informacion për 4835 Qendra Votimi ku rezulton se, kanë votuar 1 280 930 zgjedhës nga 3 379 873 zgjedhës të regjistruar në këto qendra votimi.
Sipas tij, përqindja e pjesëmarrjes në këto qendra votimi është 37.9 %.
/gj.m/r.e/





















