Ballina Aktualitet

Shpërndanin ushqime për përfitime elektorale, arrestohen tre punonjës të Bashkisë Shkodër

TIRANË, 13 maj/ATSH/ Tre punonjës të bashkisë Shkodër u kapën në flagrancë duke transportuar me furgon, 50 qese me ushqime, për t’i shpërndarë te qytetarët, për përfitime elektorale.
Strukturat hetimore të DVP Shkodër, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shkodrës, kanë vijuar veprimet e thelluara hetimore për rastin e evidentuar mesditën e djeshme, në unazën perëndimore të qytetit të Shkodres, ku shërbimet e Policisë, bazuar në inteligjencën informative, si dhe si rezultat i kontrolleve të territorit me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve elektorale, shoqëruan në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, 3 punonjës të bashkisë Shkodër, të cilët transportonin me një fugon, 50 pako me ushqime.
Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, shtetasit: E. I., 31 vjeç, me detyrë Drejtor i Drejtorisë Ekonomike-Arsimore, bashkia Shkodër; P. D., 49 vjeç, me detyrë Teknik i Shërbimeve Mbështetëse në Drejtorinë Ekonomike-Arsimore, bashkia Shkodër;
-M. V., 63 vjeç, me detyrë Specialist i Financës në Drejtorisë Ekonomike-Arsimore, bashkia Shkodër.
Gjithashtu, nga veprimet e thelluara hetimore në lidhje me këtë rast, u bë i mundur konstatimi i shtetasit që kishte porositur qeset me ushqime, konkretisht shtetasi A. B., 33 vjeç, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Ujësjellës-Kanalizimeve, bashkia Shkodër, i cili u shpall në kërkim. Vijon puna për kapjen e tij.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
/k.s/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – SHBA forcon praninë në Gji për të kufizuar Teheranin
Artikulli tjetërSOFT NEWS – Johnny Depp kontratë 20 milionë dollarëshe me ”Dior”