TIRANË, 13 maj/ATSH/ Drejtoria Vendore e Policisë Dibër rreth orës 11.30, në stadiumin e qytetit të Peshkopisë ka përfunduar instruktazhin me punonjësit e policisë, të cilët do të kryejnë ruajtjen fizike të objekteve zgjedhore, ku është përcaktuar të kryhet procesi i votimit.
Instruktazhi u drejtua nga Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, Dhimitraq Ziu, i cili porositi edhe njëherë të gjithë punonjësit e policisë që të tregojnë profesionalizëm dhe të kryejnë detyrat dhe përgjegjësitë në mënyrë të barabartë, me paanshmëri politike, vetëm në bazë dhe për zbatim të ligjit duke respektuar liritë dhe të drejtat themelore të njeriut.
Ziu tha se punonjësit e policisë duhet të veprojnë vetëm dhe për zbatim të detyrave e përgjegjësive që atyre u takojnë si dhe të kenë parasysh procedurat që janë trajnuar në çdo situatë.
Instruktazhi ka përfunduar dhe në Komisariatet e Policisë Bulqizë dhe Mat.
Secili punonjës policie është njohur dhe trajnuar për detyrat që ka në këtë fazë si dhe është pajisur me librin e xhepit për detyrat funksionale gjatë procesit zgjedhor.
Në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër dhe në Komisariatet e Policisë Bulqizë dhe Mat janë ngritur Grupet e Drejtimit për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor si dhe menaxhimin e çdo lloj situate bazuar në planin e veçantë të masave.
Grupi i drejtimit ka krijuar hartën dixhitale, me numrat e kontaktit te punonjësve të angazhuar në çdo qendër votimi, si dhe numrat e përgjegjësve të tyre me qëllim, monitorimin e situatës për realizimin e detyrave funksionale si dhe për të siguruar një komunikim të shpejtë dhe në kohë reale, për çdo rast kur punonjësit e Policisë të angazhuar gjatë këtyre ditëve do të kenë nevojë për orientime që do të garantojnë zgjidhje efektive.
Ndërkohë ka filluar funksionimi i aplikacionit “Monitorimi elektronik i shërbimeve të Policisë së Shtetit”, i cili shfaq në kohë reale raportimet e strukturave në terren për sigurimin e rendit publik dhe të objekteve zgjedhore gjatë procesit të votimit.
Në territorin e qarkut Dibër janë 4 KZAZ dhe VNV, si dhe 224 Qendra Votimi, të gjitha të mbuluara me punonjës policie, si dhe në çdo njësi administrative është i vendosur nga një përgjegjës grupi .
Për ruajtjen e këtyre objekteve janë angazhuar 295 punonjës policie. Drejtoria Vendore e Policisë Dibër është e vendosur dhe ka marrë të gjitha masat e duhura për të mbajtur në kontroll të gjithë territorin e qarkut, me qëllimin e vetëm sundimin e ligjit.
Në këtë kuadër, DVP Dibër i bën apel të gjithë qytetarëve dhe subjekteve të përfshira në këtë proces që të respektojnë detyrimet ligjore që i ngarkon Kodi Zgjedhor dhe ligjet e tjera.
Gjithashtu, Policia e Dibrës garanton qytetarët se ka ndërmarrë të gjitha masat, që e drejta e tyre kushtetuese për zgjedhjen e përfaqësuesve të pushtetit lokal, të ushtrohet e lirë, e qetë, e pacënuar dhe pa intimiduar prej askujt.
/k.s/












