Ballina Ekonomi

Mbi 55% e SME-ve e sigurojnë 80% të lëndës së parë brenda vendit

TIRANË, 9 maj /ATSH/ Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve të vogla e të mesme (rreth 55% e ndërmarrjeve të vogla dhe 39 % e atyre të mesme) e sigurojnë mbi 80 % të lëndës së parë brenda vendit, bën të ditur Banka e Shqipërisë, në vrojtimin e publikuar së fundmi, mbi gjendjen financiare të huamarrjes së ndërmarrjeve.

Sipas BSH-së, ky tregues ka regjistruar rritje me 6.9 pp në rastin e ndërmarrjeve të vogla dhe me 1.7 pp për ndërmarrjet e mesme, krahasuar me periudhën paraardhëse.

Nga ana tjetër, rreth 41 % e ndërmarrjeve të mëdha sigurojnë vetëm deri në 20 % të
lëndës së parë brenda vendit, me një rritje gjashtëmujore prej 3.4 pp.

Shitja e produkteve vijon të mbetet kryesisht brenda vendit, ku rreth 85 % e ndërmarrjeve të vogla, 66 % e ndërmarrjeve të mesme dhe 57 % e ndërmarrjeve të mëdha, kanë deklaruar se kanë shitur shumicën e produkteve në tregun vendas (mbi 80 % të volumit të produkteve).

Krahasuar me gjashtëmujorin e mëparshëm, ka pasur një rënie prej 1.5 pp të peshës së ndërmarrjeve të vogla që i shesin produktet e tyre kryesisht brenda vendit, ndërkohë që pesha e ndërmarrjeve të mesme që deklarojnë një gjë të tillë është rritur me vetëm 0.4 pp.

/gj.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLibrazhd-Elbasan, punohet për rehabilitimin e shtresave të dëmtuara asfaltike
Artikulli tjetërDita e Evropës, BSH prodhon 2 monedha numizmatike prej argjendi