TIRANË, 8 maj/ATSH/- Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Roland Bejko në një takim me banorë të Zall-Bastarit shpalosi programin e tij për fshatin.
Bejko përsëriti angazhimin e tij për ndërtimin e tregjeve për shitjen e produkteve vendase.
“Për ju s’do jetë shumë larg, të mos futeni në trafikun e Tiranës, por edhe për qytetarët e Tiranës të mos dalin nga Tirana, të mos dalin nga Tirana dhe të blejnë ushqimet tuaja, se nuk e bëjnë këtë gjë. Ne do t’u ofrojmë prodhime tuaja të freskëta, bio, qytetarëve të Tiranës, me qëllim që ekonomia juaj shtëpiake të përmirësohet”, tha ai.
Sipas tij, prioritet i bashkisë së Tiranës nën drejtimin e Partisë Demokratike do të jetë edhe zhvillimi turizmit dhe premtoi taksa për ata që zhvillojnë turizmin malor.
“Zhvillimi i agroindustrisë, por edhe i turizmit malor do të jetë prioritet. Turizmi s’do ketë asnjë taksë për të gjithë periudhën që do zhvillohet. Do kemi edhe subvencione për nxitjen e zhvillimit të turizmit, sidomos turizmi i bujtinave, i aventurës e sporteve të ndryshme”, nënvizoi Bejko.
Kandidati i PD deklaroi se nëse ai zgjidhet në krye të bashkisë së Tiranës, do të heqë taksën e infrastrukturës shkollore.
“Paguhet si në fshat si në qytet, si nga ata që kanë fëmijë, si nga ata që s’kanë fëmijë në shkolla, ne do ta heqim këtë, sepse është e tepërt”, u shpreh kandidati i PD-së, ndërsa premtoi dhe reduktim me 50 % të taksave të tjera vendore për sa i përket pastrimit.
/r.e/














