Ballina Aktualitet

Stadiumi i ri i Durrësit, Rama: Qendër e re e qytetit

TIRANË, 4 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, në ceremoninë për shpalljen e projektit fitues të stadiumit të ri në Durrës, se ambicia e qeverisë është krijimi i modeleve të reja, ku stadiumet e qyteteve të mund të bëhen edhe motorë socialë dhe ekonomikë zhvillimi.

Stadiumi “Niko Dovana” në Durrës është infrastruktura tjetër sportive pas Stadiumit të Korçës, që do të transformohet në një qendër të re shumëfunksionale për qytetin, ku jo vetëm do të ofrohen kushte optimale për kompeticionin kryesor, futbollin, por edhe biznesi e argëtimi do të kenë hapësirat e tyre të dedikuara, ku të ketë atraksione për të gjithë ata që vizitojnë Durrësin.

Gara e hapur ndërkombëtare, e shpallur  në muajin shkurt të këtij viti, përzgjodhi në fazën finale tri studio prestigjoze të arkitekturës: 51N4E (Belgjikë) Bjarke Ingels Group, BIG (Danimarkë) dhe MVRDV (Holandë) për të prezantuar publikisht propozimet arkitektonike para një jurie me personalitete ndërkombëtare të fushës.

“Tre kompanitë e kualifikuara për në fazën finale janë studio prestigjioze në skenën e arkitekturës bashkëkohore. Stadiumi i ri qytetit të Durrësit, nuk është thjesht një stadium, por një qendër e re e qytetit, e cila krijon kushtet optimale për futbollin, por edhe një qendër plot jetë në 24 orë, në 7 ditët e javës, ku ndërthuren të gjitha rrugët e jetës për komunitetin durrsak dhe një atraksion më tepër për të gjithë ata që vizitojnë Durrësin”, tha Kryeministri.

Rama theksoi se qeveria ishte e vendosur të bëjë për Durrësin shumë më tepër.

“Durrësi është në një moment fantastik të një kthese të madhe, si e gjithë Shqipëria në fakt. Ka përpara një të ardhme domethënëse, një perspektivë të qartë për qytetin, komunitetin e ata që do të vijnë më pas. Në fushën e sportit do të bëjmë shumë për tepër. Kemi projekte për të kthyer Durrësin në një destinacion të talenteve në shkallë kombëtare dhe rajonale”, deklaroi Rama.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCarlos Humberto, drejtori i ri i Bordit të Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit
Artikulli tjetërSako: Projekte madhore për Durrësin që të jetë qytet i mirëfilltë evropian