TIRANË, 4 maj /ATSH/ Me mbështetjen e programit IPARDII, sipërmarrjet po orientohen të investojnë në krijimin e fermave bujqësore dhe blegtorale sipas modeleve më të mira konkurruese të tregut me cikël të mbyllur duke ofruar standarde dhe vlerë të shtuar.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca vizitoi fermën “Fshatçe”, në Libofshë të Fierit, një investim model drejt të cilit po orientohet blegtoria.
“Me Gentianin në fermën “Fshatçe”, me mbi 900 krerë, një model i arrirë i fermave me cikël të mbyllur”, tha Krifca.
Ministrja e vlerësoi investimin në teknologjinë e përpunimit të ngjashëm me fermat më moderne në botë. Këtu tha ajo, standardet e teknologjisë së lartë zbatohen që nga mirëqënia e kafshëve, sigurimi i bazës ushqimore për to, prodhimi dhe deri tek produkti final.
Ministrja Krifca shoqëruar edhe nga drejtoresha e AKU-së Jeta Deda inspektoi nga afër këtë sipërmarrje që i ka dhënë një tjetër shembull zhvillimi sektorit të blegtorisë.
Gentiani tregoi se, tokën e marrë me qira e ka kthyer në tokë pjellore ku kultivon bimë foragjere që janë bazë ushqimore për blegtorinë që mbarështon në fermën e tij.
Përveç kësaj ai ka ngritur dhe ambientet për bluarjen e koncentrateve. “Mulliri dhe mishelatori janë pajisje të teknologjisë së lartë që i kam marrë me mbështetjen e programit IPARD”, tha ai.
“Po bëjmë një plan për të aplikuar në thirrjen e tjetër të IPARD për një kombinat silose që na lehtëson shumë në procesin e magazinimit të ushqimit për blegtorinë në silose që kryejnë ushqyerjen e lopëve në racione sipas masës që duhet. Pra investimi në silose kryen ushqyerjen e blegtorisë në mënyrë automatike dhe hapësira që na krijohet në këtë qendër na shërben ta mbushim me jonxhë e bar të thatë”, vuri në dukje ai.
Kjo sipërmarrje është e përqendruar tek prodhimi dhe paketimi i qumështit. Këtu prodhohet qumësht i pasterizuar dhe të gjitha nënproduktet kryesore nga djathi, kosi, gjalpi etj., sipas standardeve më të mira.
Drejtoresha e AKU-së Deda tha se, të gjitha produktet nga kjo fabrikë tregtohen me etiketë të unifikuar, të certifikuar nga AKU, ndërkohë që kryhen rregullisht të gjitha analizat.
Ministrja Krifca e vlerësoi këtë investim si modelin më të mirë, shembull për fermat blegtorale ku synohet të arrijë ky sektor.
/r.e/























