Ballina Bota

KIEV – Zelensky dhe Macron diskutojnë paketën e re të armëve

KIEV, 30 prill /ATSH-DPA-ANSA/- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky zhvilloi sot një bisedë telefonike me liderin francez, Emmanuel Macron ku diskutuan mundësinë e një pakete të re armësh.

Zelensky e informoi Macron për situatën në vijën e parë dhe perspektivat e zhvillimit të saj në maj-qershor, si dhe për nevojat prioritare të Forcave të Mbrojtjes të Ukrainës.

Një çështje tjetër e diskutimit ishte bashkëpunimi midis Kievit dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë për të konsoliduar mbështetjen e tyre për “formulën e paqes” në Ukrainë.

“Është shumë e rëndësishme që Rusia të marrë sinjale gjithnjë e më të forta se bota nuk do ta falë terrorin e Rusisë”, tha Zelensky.

“Ukraina dhe partnerët e saj duhet të veprojnë me unitetin dhe integritetin më të madh të mundshëm për të mbrojtur vlerat tona të përbashkëta, dhe për të shmangur zgjatjen e luftës”, shtoi ai.

Zelensky falënderoi aleatët ndërkombëtarë të vendit të tij për dërgesat e armëve, fondeve dhe ndihmave të tjera në mbështetje të luftës së tyre kundër forcave ruse.

Presidenti ukrainas falënderoi Danimarkën për obuset, Slloveninë për automjetet e blinduara, Spanjën për tanket dhe Gjermaninë për dërgimin e planifikuar të më shumë automjeteve të blinduara.

“Ukraina do të marrë 1.25 miliardë dollarë nga SHBA-ja për të mbështetur buxhetin e saj”, shtoi Zelensky.

“Holanda po përgatitet për të trajnuar ushtarët ukrainas në sistemet moderne të armëve, Kroacia do të trajtojë ushtarët e plagosur, ndërsa Italia do të ndihmojë në rindërtimin e zonave të dëmtuara të Ukrainës”, shtoi ai.//a.i/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Do të mbjellim mbi 25 mijë pemë në rrugëtimin drejt 14 majit
Artikulli tjetërRama publikon foton e veçantë: Bashkë me sa më shumë punë të mira për vendlindjen e tyre