Ballina Aktualitet

Tabaku: Ruajtja e konkurrencës është minuar këto vite

TIRANË, 25 prill /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku tha se, është shumë e domosdoshme që Autoriteti i Konkurrencës të jetë në shërbim të ruajtjes së konkurrencës, që fatkeqësisht është minuar në këto vite në kurriz të portofolit të shqiptarëve.

E pranishme sot në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, Tabaku gjatë diskutimit i kërkoi llogari drejtuesit të Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba për punën e komisionit, pasi ky i fundit kërkoi rritje stafi për institucionin që drejton.

Ajo ngriti pyetjen nëse Autoriteti i Konkurrencës ka rritur volumin e punës që kërkon rritjen e stafit.

Tabaku tha se, “për mua, ne mund të konsiderojmë sukses vendimet e zbatuara dhe të reflektuara në kohë tek qytetarët duke mbrojtur konkurrencën”.

“Kemi diskutuar për tregun e miellit, kur dinamika ndryshon. Mirëpo kur Autoriteti Konkurrencës vepron me vonesë nuk reagon në kohë për qytetarët! Nuk ju dëgjova për portin e Durrësit të ishit aktivë që është në shkelje të konkurrencës dhe nuk u shprehët. Nëse doni rritje të stafit, atëherë bëni punë që të referoheni sikundër ndodh me KLSH dhe zbulimet e saj”, tha Tabaku.

/gj.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBroja për revistën “World Soccer”: Kemi talentin për ta çuar Shqipërinë në finalet e Botërorit
Artikulli tjetërKOMENT – Biden njofton rikandidimin, i bashkohet Trumpit për presidencialet 2024