TIRANË, 25 prill/ATSH/ U çel në Prishtinë Panairi Mbarëkombëtar i Librit Akademik dhe Shkencor.
Panairi organizohet nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit
Ky panair do të mbahet deri në datën 26 prill 2023, në mjediset e ASHAK.
Çmimi “Jakov Xoxa” për veprën më të mirë studimore, akorduar këtë vit në nder të 100-vjetorit të lindjes së shkrimtarit, iu dha studiuesit Sabri Hamiti me librin “Stilografia” .
Çmimi u dorëzua nga Alda Bardhyli, drejtore e QKLL, ndërkohë që në ceremoni përshëndeti në emër të familjes së shkrimtarit, Agron Xoxa.
“Jam i nderuar me vlerësimin që i bëni librit tim. Qendra e Librit dhe e Leximit ka bërë një gjetje të pazakontë duke i dhënë emrin e novelistit e romancierit Jakov Xoxa një çmimi për vepër kritike. Kjo edhe duket si një pohim që shkrimi i leximit letrar bëhet letërsi”, u shpreh Sabri Hamiti.
Jo rastësisht në Prishtinë, Jakov Xoxa bashkoi në veprën e tij shqiptarët e Myzeqesë dhe shqiptarët e Kosovës.
Romani “Lumi i vdekur”, në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar, ishte bërë një libër kult për brezin e ri të lexuesve në Kosovë, për përmasat e thurjes së romanit epik në shqip, për marrëdhëniet njerëzore e shoqërore të kosovarëve të shpërngulur me vendasit në Shqipëri, e sidomos i pëlqyer në tregimin e dashurisë të Vitës e Adilit.
Romani adhurohet sidomos për stilin e tij, që i ngjet prozës së Mitrush Kutelit, pararendës dhe që gjen vazhdimin në prozën e Vath Koreshit.
/gj.m/r.e/





























