TIRANË, 25 prill/ATSH/ Kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë e Patosit në zgjedhjet e 14 majit, Fatjon Duraj theksoi sot se, “një gjë është e sigurt, Patosi me mbështetjen e qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama do të ecë shumë shpejt përpara”.
Në takimin e organizuar sot në Patos, për prezantimin e tij si kandidat për kryetar bashkie, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, Duraj foli për investimet që do të kryhen në këtë qytet dhe njësitë administrative të tij.
“Kam vizituar shumë zona dhe më kanë ngelur në mendje ujëvara e Selckës dhe gjatë 4 vjeçarit të ardhshëm do të sistemohet rruga që shkon në ujëvarë dhe do të kthehen në pikë turistike për Patosin dhe për zhvillimin e mëtejshëm të njësisë administrative Ruzhdie”, tha ai.
“Në njësinë administrative Ruzhdie do të vazhdojmë me sistemimin e rrugëve që të nxisim biznesin, fermerët e kulturës së ullirit, që Ruzhdia dhe e gjithë kjo njësi të ecë përpara dhe është e sigurt që do të ecë përpara. Para disa vitesh nëse do shkonim në drejtim të Zharrëz serat numëroheshin me gishtat e dorës, ndërsa sot është e pamundur t’i numërojmë dhe kjo falë qeverisë Rama, falë punëtorëve të kësaj njësie të cilët janë shumë punëtorë”, theksoi Duraj.
Duraj vuri në dukje se, “në 4 vitet e ardhshme në Zharrëz do të mbyllim unazat bujqësore, do të ketë një ndihmë nga ana e qeverisë për subvencionimin e fermerëve të zonës. Padyshim që Zharrza do të ecë pëpara këto 4 vitet e ardhshme”.
“Në lagjen e re në 4 vitet e ardhshme do të bëhet rikualifikimi urban i banesave, sistemohet përroi, i cili do të kthehet në një oaz paqeje, ku pasdite qytetarët të dalin shëtitje. Të njëjta investime do të bëhen në të gjitha lagjet e Patosit”, tha Duraj.
/k.s/ /gj.m/r.e/























