Ballina Aktualitet

Celibashi, shkresë bashkive: Përcaktoni vendin e publikimit të materialeve propagandistike

TIRANË, 25 prill/ATSH – I. Vata/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi i dërgoi shkresë 61 bashkive të vendit, lidhur me përcaktimin e vendeve publike për afishimin e materialeve propagandistike të fushatës elektorale të subjekteve zgjedhore.

Në shkresën drejtuar bashkive, Celibashi argumentoi se përcaktimi i vendit për afishimin e materialeve propagandistike është detyrim ligjor i Kodit Zgjedhor.

“Duke marrë në konsideratë denoncimet dhe ankesat e adresuara në KQZ mbi përcaktimin e vendeve publike për afishimin e materialeve propagandistike në fushatë elektorale të subjekteve zgjedhore, ju sjell në vëmendje që të merrni masa të menjëhershme për përmbushjen e detyrimit sipas Kodit Zgjedhor. Brenda dy ditëve nga marrja e shkresë, ju lutem të dërgoni në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listën e vendeve të lejuara për afishimin e materialeve propagandistike për fushatën elektorale. Kjo listë dhe vendimi përkatës për caktimin e këtyre vendeve duhet të publikohen menjëherë në faqen elektronike të institucionit tuaj”,- shkruan Celibashi.

Po ashtu, Celibashi iu kujtoi bashkive marrjen e masave për heqjen e materialeve propagandistike të ngelura nga fushata e mëparshme.

“Gjithashtu ju sjell në vëmendje, marrjen e masave të menjëhershme për të hequr materialet propagandistike të subjekteve zgjedhore nga fushata zgjedhore të mëparshme. Moszbatimi i detyrimit të përcaktuar nga Kodi Zgjedhor, ju ngarkon me përgjegjësi”, shkruan Celibashi.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Asnjë shqiptar që do vendin e vet, nuk mund të votojë kandidatët e “zorrës qorre”
Artikulli tjetërFotoalbum nga takimi në Fier, Rama falënderon gratë dhe vajzat