TIRANË, 24 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se, “ne kemi bërë një transformim revolucionar në aspektin e digjitalizimit, të komplet marrëdhënieve të sipërmarrjes me shtetin, duke eliminuar në këtë mënyrë një pjesë shumë të madhe të korrupsionit kapilar”.
Gjatë fjalës së tij në Forumin e Klimës së Biznesit, Rama shtoi se, “nga ana tjetër, jemi shumë të vetëdijshme që çështja e konkurrueshmërisë dhe çështja e lehtësimit të të gjithë procesit të sipërmarrjes lidhet edhe me transparencën në proceset konkurruese. Gjë që lidhet patjetër edhe me domosdoshmërinë që gjithë atë pjesë shumë të madhe të korrupsionit kapilar që ne e kemi eliminuar me shërbimet digjitale, duhet ta shoqërojmë me eliminimin e një pjese tjetër të korrupsionit, që lidhet me gjithë sistemin e prokurimeve dhe në këtë pikë jemi duke përgatitur një tjetër revolucion i cili shumë shpejt do të materializohet, pasi po punohet prej kohësh, duke shfrytëzuar inteligjencën artificiale dhe duke u nisur nga një eksperiencë e jashtëzakonshmen që ne kemi pasur me misionin e BE në rindërtimin e shkollave pas tërmetit”.
Rama tha se, “rindërtimi i shkollave pas tërmetit ka pasur dy blloqe, një bllok bazuar totalisht tek buxheti i shtetit dhe një bllok bazuar tek mbështetja e Bashkimit Evropian dhe procesi i prokurimit, i përzgjedhur nga Misioni, që i ka prokuruar vetë të gjitha fondet e Bashkimit Evropian dhe kanë nënshkruar vetë kontratat me sipërmarrësit, është një proces që ne na ka mësuar shumë, dhe nga i cili kemi kuptuar që ne, fare thjeshtë, mund të ndërtojmë një rrugë ku nga njëra anë, të kemi një aleancë me institucione siç është UNOPS-i, institucioni i Kombeve të Bashkuara që ndihmon entitete të ndryshme, shtete, organizata për prokurim, dhe nga ana tjetër të kemi programin e inteligjencës artificiale për gjithë procesin e prokurimit i cili do të zbrazet totalisht nga letrat, totalisht, do të mbarojë shumë shpejt historia, ke vulën, s’ke vulën, e thave vulën shko rifreskoje, na duhet një më e njomë se është shumë e thatë, mungon kjo letra këtu, këtu ke një deklaratë që është e vjetër, s’është e rifreskuar që e dimë shumë mirë se çfarë tmerri janë për këtë proces, do zbrazet e gjitha totalisht, sepse çdo të dhënë që kërkohet nga kompanitë dhe çdo vlerësim që bëhet për kompanitë, do ta bëjë inteligjenca artificiale, pa nevojë fare të asnjë anëtari të një komisioni apo një komisioni të tërë prokurimi, dhe në fund, kur prokurimet të zhvillohen, kompanitë të cilat janë kompani të njohura publikisht dhe të dhënat e të cilave gjenden të gjitha në bazën e të dhënave të shtetit, do duhet vetëm të çojnë çmimin, asgjë tjetër”.
Rama nënvizoi se, “kjo është e mundshme falë teknologjisë dhe ndërkohë do të bëjmë spostimin komplet të gjithë trupës, të gjithë sistemit të prokurimit në një dorë, një agjenci kombëtare e prokurimeve me disa ndryshime shumë të vogla të natyrës teknike dhe do të kontraktojmë partnerë ndërkombëtarë, siç thashë UNOPS-in apo agjenci të ndryshme të tjera që e bëjnë këtë punë, dhe që nga ky moment, asnjë ministri dhe asnjë KVO shqiptare, kjo fjala KVO është kthyer në makthin e jetës sime, quhet Komision Vlerësimi i Ofertave, dhe janë ato grupet pastaj që i shikoni që arrestohen si grup dhe dalin në televizor, KVO filan, KVO filan, nuk do ketë më punë me këtë punë, sepse bëjmë mijëra e mijëra prokurime dhe kemi një numër KVO që është marramendës”.
Rama tha se, “ndërkohë që prokurimet kërkojnë njerëz që të merren vetëm me atë punë, edhe që dinë vetëm atë punë dhe që të përgjigjen vetëm për atë punë dhe mbi të gjitha ministritë dhe institucionet qendrore të shtetit nuk janë për të bërë prokurime, janë për të bërë politika dhe janë për të ndjekur zbatimin e politikave dhe besoj që ky do jetë një lehtësim i jashtëzakonshëm dhe jam i bindur që me këtë lehtësim biznesi do lehtësohet, njerëzit e KVO-ve do lehtësohen, do merren me punët e tyre, qeveria do lehtësohet dhe me siguri Shqipëria do lehtësohet dhe raportet përkatëse do të lehtësohen dhe ne do të ngjitemi shumë më lart në vlerësimin për luftën kundër korrupsionit dhe suksesin e saj”.
/gj.m/r.e/























