Ballina Flash

Muzhaqi: Angazhim i kryebashkiakes Sako në programet me të rinjtë

TIRANË, 24 prill/ATSH/ Ministrja e Shtetit për të Rinjtë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi theksoi sot nga Durrësi se “përfaqësimi rinor në të gjitha strukturat në bashki e më tej në qeveri është element i rëndësishëm pasi të dëgjosh të rinjtë dhe kërkesat e tyre ka qenë një nga prioritetet kryesore të qeverisë”.

Në takimin  e organizuar në Eco Parkun në Porto Romano për mbjelljen e pemëve të siguruara nga fondi zgjedhor i Partisë Socialiste, ku është i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, ministrja Muzhaqi tha se “në Durrës kemi një Këshill Rinor, i cili i ofron mundësinë të rinjve që të jenë pjesë aktive e politikëbërjes dhe të ndajnë mendimet e tyre”.

“Fjalia kryesore që duhet thënë për të rinjtë është bashkëpunimi shumë i fuqishëm që ekziston mes qeverisë dhe bashkive. Në të gjitha punët që ne bëjmë dhe politikat që ndërmarrim si qeveri zakonisht është e vështirë që ato të zbatohen në mënyrën e duhur, pa u mbështetur nga bashkia”.

Muzhaqi falënderoi kryebashkiaken Sako për zbatimin e projekteve për të rinjtë në qytetin e Durrësit.

“Jo më kot kryetarja përmendi ekipet sportive, një nismë që pak vite më parë nuk mund të imagjinohej, që mund të realizohej fakti që ne të përfshinim të rinjtë nga e gjithë Shqipëria  në kampionate sportive. Kemi një pjesë të të rinjve që janë angazhuar e përfshirë, shpresoj se duke bashkëpunuar do të përfshijmë edhe më shumë të rinj në ekipet sportive, për t’i hequr ata nga veset dhe problematikat”, tha Muzhaqi.

Ministrja Muzhaqi u shpreh se “një tjetër program që është realizuar në të gjithë qarkun e Durrësit është edhe programi jashtë mësimor që i vjen në ndihmë të gjithë fëmijëve. Jo çdo familje e ka mundësinë që fëmijët të ndjekin kurse dhe duke pasur këtë program ata i angazhojnë fëmijët në art, zeje, sport, tekonologji, mjedis. Kjo është një nismë që ka filluar në 200 shkolla do të arrijmë ta zgjerojmë më tej duke i krijuar mundësinë çdo fëmije dhe të riu që të angazhohen në programe kaq të bukura që kemi zhvilluar”.

Duke folur për programin e kodimit, Muzhaqi tha se “së shpejti po përpiqemi ta ofrojmë edhe në qytetin e Durrësit, por tani që flasim të rinjtë mund të aplikojnë në e-Albania dhe të bëhen programues”.

/k.s/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Së shpejti, akademi elitare futbolli në Durrës
Artikulli tjetërRama-demokratëve të Durrësit: Në fletën e votimit keni Ilir “floririn”