LONDËR, 20 prill /ATSH-DPA/ – Më shumë se 18 000 kilogramë kokainë u kapën nga policia dhe zyrtarët kufitarë në Angli dhe Uells gjatë periudhës mars 2021-mars 2022.
”Sasia e kanabisit bimor të sekuestruar ka arritur në maksimumin e 20 viteve, ndërkohë që është rritur ndjeshëm edhe sasia e ketaminës së konfiskuar”, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme britanike.
Por, në përgjithësi, numri i konfiskimeve të drogës është ulur 14% nga periudha e mëparshme duke sinjalizuar një kthim në nivelet e parë para pandemisë së koronavirusit, pas një rritjeje gjatë bllokimeve.
Sasia e kokainës së kapur nga policia dhe forcat kufitare u rrit me 68%, nga 11 141 kilogramë në 12 muajt deri në mars 2021, në 18 767 kilogramë në periudhën më të fundit.
Sasia e kanabisit bimor të sekuestruar në vitin deri në mars 2022 është më shumë se dyfishuar, me 35 436 kg të konfiskuara krahasuar me 17 155 kilogramë në periudhën e mëparshme.
Sasia e ketaminës së sekuestruar ishte gati 10 herë më shumë se ajo e një viti më parë duke u rritur nga 187 kilogramë në 1 837 kilogramë, pas një rritjeje të numrit të konfiskimeve./ /os/






















