TIRANË, 19 prill/ATSH/ Në kremtim të Muajit të Shenjtë të Ramazanit dhe në respekt të traditës shumëvjeçare, Kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja e tij Linda Rama shtruan një darkë iftari në mjediset e Pallatit të Kongreseve në Tiranë.
Në tryezën e shtruar në Pallatin e Kongreseve ishin të pranishëm drejtues të besimeve fetare në vend, ministra, deputetë, diplomatë të huaj, drejtues institucionesh, artistë, sportistë, mjekë etj.
Fjalën përshëndetëse e mbajti bashkëshortja e kryeministrit, Linda Rama, e cila tha se, “në 1923 Këshilli i Naltë Mysliman i drejtohet kryeministrisë me një fletë për të lajmëruar themelimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar. Me postulatin dashuria për atdheun rrjedh nga besimi dhe me vendimin për të përdorur gjuhën shqipe si gjuhën e liturgjisë islame, myslimanët shqiptarë kishin rrokur qysh në lindjen e tyre si komunitet një vizion paqeje në atdhedashuri dhe progres”.
“Sot 100 vjet më pas ky vizion i paqes dhe progres i natyrshëm përqafuar natyrshëm nga krejt komunitetet fetare është mishëruar në shëmbëlltyrën rrezatuese të harmonisë fetare, pasuri e çmuar e shqiptarëve, dhuratë e vyer për familjen e kombeve europiane dhe shembull për çdo vend ku shqiptarët jetojnë dhe punojnë. Nëpërmjet harmonisë kemi përballuar kështu përgjegjësinë për të qenë shembull, çka është edhe një prej virtyteve të renditura të vetë Kuranit”, tha Linda Rama.
Linda Rama u shpreh se, “sot dritaret e komunikimit mes nesh janë të pakufishme dhe fluksi i informacionit gjithashtu, duke krijuar një mundësi të panjohur më parë për të rrokur botën, të mirën dhe progresin por duke shtuar në mënyrë thuajse mbytëse presionin për t’iu dorëzuar tundimit, vanitetit, egoizmit, lehtësisë së padurueshme të qenies, siç thotë titulli i një libri të famshëm”.
“Janë të shumtë fatmirësisht, edhe pse fatkeqësisht të neglizhuar, shembujt e virtytit ndër ne, të cilët me zgjedhjen e tyre dhe punën e tyre të përditshme e bëjnë shoqërinë më të mirë, atmosferën mes nesh më të paqtë dhe mjedisin më të shëndetshëm”, u shpreh ajo.
“Në 30 orët e qëndrimit me Edin në spital pata mundësinë të jem mes një ekipi mjekësh dhe infermieresh të përkushtuar. Aida, Ela, Anxhela, Sonila, Elena, Delina ishin vajzat që kujdeseshin si flutura mbi kryet e pacientëve pa e thyer heshtjen dhe pa e humbur zhdërvjelltësinë mbresëlënëse të duarve, bashkë me buzëqeshjen inkurajuese, përgjatë orëve të avashta të natës”, theksoi Linda Rama.
“Teksa rrija e ulur në karrige, pak pas mesnatës, njëra prej tyre më afrohet dhe më pyet me zë të ulët: T’ju sjell një jastëk? E më parë erdhi sesa iku, duke më lënë në dorë një jastëk të vogël që e mbajta nën qafë gjatë gjithë natës. Në të zbardhur pashë që jastëku që kish qëndruar me mua ishte një jastëk bebesh, me një rosak të qëndisur me dorë në mes të tij. I kujt është ky jastëku që ma lehtësoi natën mua? – e pyeta. I vajzës time, – tha. E mbaj pranë në orët e natës, kur jam në punë. Uroj t’ju ketë shërbyer. E pashë me admirim për shpirtin e saj dhe e pyeta si quhet vajza? Ajlina, – tha, dhe i qeshën sytë”, tregoi ajo.
“Ajlina, engjëlli me emrin e vjetër mysliman që do të thotë sublimja, kishte qëndruar me mua si “dritë e hënës” dhe “dhuratë e Zotit” në një natë të vështirë në Muajin e Ramazanit. Dhe me këtë mbresë të pashlyeshme të njerzillëkut shembullor, duke uruar që paqja, shëndeti e mbarësia t’ju prijnë familjarisht, lejomëni t’i uroj posaçërisht edhe besimtarët myslimanë që agjërimi i tyre të jetë i pranuar”, përfundoi fjalën e saj Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama.
/k.s/ /gj.m/r.e/






















