Ballina Flash

Kosova anëtarësohet në “Justice Action Coalition”

PRISHTINË, 19 prill /ATSH/ Kosova është anëtarësuar në “Justice Action Coalition”, duke iu bashkuar kështu Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe një grupi të shteteve tjera demokratike që synojnë ta promovojnë kolektivisht drejtësinë e përqendruar tek qytetarët në të gjitha nivelet.

Kështu ka njoftuar Zyra e Presidencës duke theksuar se kjo iniciativë e Osmanit është pjesë e zotimeve të Samitit për Demokraci.

“Përmes këtij koalicioni, Republika e Kosovës do të kontribuojë në zhvillimin e strategjive dhe prioriteteve ndërkombëtare të cilat kanë për qëllim qasjen e barabartë në drejtësi për të gjithë”, ka thënë Osmani.

Më tej në njoftim thuhet se, gjatë vitit të kaluar Kosova ka arritur suksese të rëndësishme në tri zotimet e Samitit për Demokraci.

“Republika e Kosovës, përgjatë vitit të kaluar ka arritur suksese të rëndësishme në të tri zotimet e Samitit për Demokraci, të cilat kishin për qëllim fuqizimin e sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, luftimin e autoritarizmit, avancimin e të drejtave të njeriut, diversitetin dhe gjithëpërfshirjen me fokus në avancimin e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore. Për shkak të këtij suksesi, nga më shumë se 100 shtete pjesëmarrëse, Presidenca e Republikës së Kosovës, si institucion udhëheqës në Kosovë përgjatë “Vitit të Veprimit”, në kuadër të Samitit për Demokraci, është përzgjedhur nga Shtëpia e Bardhë që të bashkudhëheqë me grupin tematik për sundim të ligjit, thuhet në njoftimin e Presidencës. /KosovaPress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMbi 100 botime nga Shqipëria në panairin e librit në Leipzig
Artikulli tjetërFSK parapërgatitje për “Defender Europe 23”