Ballina Flash

Këlliçi, takime me qytetarët për 5 prioritetet e programit

TIRANË, 19 prill/ATSH – I. Vata/ Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi, i shoqëruar nga kryesuesi i listës për këshillin bashkiak, dr. Ilir Alimehmeti dhe kandidatë të tjerë, ka vijuar turin e takimeve në çdo lagje të Tiranës.

Këlliçi u ndal në zonën e “Brrylit” në kryeqytet dhe pranë “Maternitetit të Ri”, ku shpjegoi dhe programin e tij për drejtimin e kryeqytetit dhe premtimin për transport publik falas.

“Ky angazhim do të bëhet realitet pas 14 majit, pasi sipas tij, prioritet do të jenë qytetarët. “Transporti, autobusi? 100 % që po. E di si realizohet? Mjafton t’i çosh lekët, që këta i vjedhin, i marrin për inceneratorin për t’i çuar tek autobusi falas për të gjithë Tiranën. 100 % e realizueshme, është çështje prioriteti, a ke hyrë për të vjedhur apo ke hyrë të bësh punë. Unë jam futur për të bërë punë, e kam ndarë mendjen”, – u shpreh Këlliçi.

Këlliçi u shpreh se jo vetëm që nuk do të largohet njeri nga puna, por sistemi do të modernizohet.

“Të gjithë do punojnë, unë do subvencionoj shërbimin, nuk do heq njeri nga puna. Unë do paguaj aq sa duhen në vit për ta mbajtur në këmbë sistemin me fitim. Unë po të them kaq: ajo kushton në vit 16.5 milionë euro, buxheti është 240 milionë euro. Unë do t’ua paguaj 16.5 milionë euro operatorëve çdo vit që ta mbajnë sistemin në këmbë dhe ta modernizojnë”.

Në lidhje me investimet në Tiranë, Këlliçi deklaroi se ndryshimi do të vijë në 14 maj.

“I kemi ndarë llogaritë, ne gjithë ditën me qytetarët, këta i kemi lënë me oligarkët. Në datën 14 do të bëhet ndryshimi se s’bën, se shohim njerëzit çdo ditë, kudo ku ikim”, – u shpreh Belind Këlliçi.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBM – Çmimet e ushqimeve me rritjen më të madhe që nga 1977-a
Artikulli tjetërBardhi: 127 emërime nepotike në bashkinë e Tiranës