Ballina Aktualitet

Celibashi: Platforma online për shpenzimet e fushatës rrit transparencën

TIRANË, 19 prill/ATSH – I. Vata/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi mori sot pjesë në tryezën e konsultimit ndërkombëtar të organizuar nga KQZ-ja në bashkëpunim me Institutin Ndërkombëtar për Demokraci dhe Asistencë Zgjedhore dhe Qendrën për Sundimin e Ligjit të Finlandës me temë “Shfrytëzimi i potencialit të sistemeve të raportimit dhe deklarimit online të financimit të partive politike”.

Në fjalën e tij, Celibashi foli mbi platformën online ku partitë politike dhe kandidatët do të raportojnë të ardhurat dhe shpenzimet e tyre financiare, bisedë që u zhvillua teksa zhvillohet fushata zgjedhore për 14 majin.

“KQZ do të ketë një mundësi më të mirë për të bërë verifikime më të thelluara në përputhje me parashikimet e Kodit Zgjedhor mbi paratë e shpenzuara nga partitë politike dhe subjektet zgjedhore. Ky sistem është një mundësi shumë e mirë, e kam fjalën për shoqërinë civile, media por edhe të tjerë për të marrë informacion dhe nxjerrë konkluzione për të bërë vlerësime se çfarë përmbajnë të dhënat e grumbulluara përmes këtij sistemi. Ne jemi vetëm në fillim të përdorimit të këtij sistemi dhe natyrisht që askush prej përdoruesve nuk është familjarizuar plotësisht me këtë sistem, por të paktën qoftë dhe formalisht nga pikëpamja e asaj që kishim objektiv, mendoj se e kemi realizuar. Qëllimi i partnerëve tanë dhe i Këshillit të Evropës ishte që këtë projekt ta kishim gati për zgjedhjet e 14 majit të këtij viti dhe raportimi i subjekteve zgjedhore mbi financat e kësaj fushate të bëhet nëpërmjet kësaj platformë”, – tha ai.

Po ashtu, Celibashi shtoi se ky proces nuk është kaq i thjeshtë, pasi të gjithë kanë nevojë të familjarizohen mbi përdorimin e këtij sistemi.

“Jemi duke e bërë në fakt këtë. Besoj se tani, por më së shumti në të ardhmen me bashkëpunëtorë apo partnerë të KQZ-së, si Këshillin e Evropës apo Qendrën për Sundimin e Ligjit të Finlandës, mund t’i bashkëngjiten projekteve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për konsolidimin e këtij sistemi për zhvillimin e programeve të trajnimit të përdoruesve të ndryshëm të këtij sistemi duke filluar nga financierë të partive politike, apo personave përgjegjës që merren me financat të stafit të KQZ dhe organizata të shoqërisë civile se si atë mund ta përdorin”, – tha Celibashi.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – Interpol: Mbi 200 tonë drogë të sekuestruara në Amerikën Latine
Artikulli tjetërCertifikohen 30 rojat e para bregdetare, Manastirliu-Kumbaro: Rritje e sigurisë në plazhe