TIRANË, 15 prill /ATSH – I. Vata/- Kryetarja e Autoritetit për Informim me Dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, Dr. Gentiana Sula dhe anëtari, Dr. Albert Nikolla shoqëruar nga stafi teknik zhvilluan një takim me Ambasadoren e Shqipërisë, në Itali, Dr. Anila Bitri Lani.
Gjatë këtij takimi u zhvillua një bisedë rreth punës që kryen Autoriteti në drejtim të zbardhjes së të shkuarës komuniste dhe nevojës së zgjerimit të marrëdhënieve me partnerë europianë në fushën e kujtesës historike.
Sula tha se, “institucioni ynë, tashmë i konsoliduar, është themeluar 7 vite më parë dhe nuk i ka ndalur përpjekjet në drejtim të hedhjes dritë në të shkuarën tonë komuniste. Ne kemi nisur të zbërthejmë të shkuarën që nga viktima e më gjerë, mbështetur në dokumentet e arkivit, dëshmitë gojore etj. Ndërkohë që po përpiqemi të zgjerojmë bashkëpunimet me Italinë me nënshkrimin e një marrëveshjeje të gjerë bashkëpunimi dhe ndërveprimi me Institutin i Historisë Europiane Mesdhetare, pjesë e Këshillit Kombëtar të Kërkimit”.
Sipas saj, kjo marrëveshje synon mundësimin e krijimit të kushteve të kërkimit nga Italia dhe Shqipëria në drejtim të zbërthimit të ngjarjeve historike që lidhin dy vendet që nga lufta italo-greke, periudhën e pushtimit fashist në vend dhe më pas në komunizëm.
Në vijim, Sula, theksoi se bashkëpunimi me studiuesit italianë do të nisë me një nga projektet më ambicioze të Autoritetit, ajo e muzealizmit të kampit të Tepelenës, një ish-garnizon italian i ngritur gjatë luftës italo-greke, që u kthye nga regjimi komunist në një kamp i punës se detyruar për familjet shpallura armike.
Më tej, kryetarja bëri një paraqitje të tipologjisë së arkivës me dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, mënyra sesi u ngrit kjo arkivë dhe objektivat për ta kthyer Autoritetin në një institucion kujtese.
Ambasadorja, Dr. Anila Bitri, tha se, “shqiptarët dhe italianët e kanë konsideruar bashkëjetesën si përqafim kulturash. Nxënësit dhe studentët e sotëm duhet të njihen me gjërat e së shkuarës, ndaj çdo përpjekje në këtë drejtim është e mirëpritur”.
Më tej, Lani shprehu vullnetin dhe mbështetjen për bashkëpunime konkrete me komunitetin shqiptar në Itali, i cili është i organizuar në drejtim të ruajtjes së gjuhës shqipe, por dhe është integruar me shumë dinjitet dhe performancë në shoqërinë Italiane.
Vizita në Romë, që Autoriteti për Informim mbi Dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit mbajti prej disa ditësh, ka në fokus rritjen e bashkëpunimit me institucionet e memories, si dhe krijimin e urave lidhëse me komunitetin shqiptar të emigruar pas viteve 1945 dhe atij të viteve pas rënies së komunizmit, në drejtim të sigurimit të dëshmive gojore mbi ngjarje të së shkuarës, rishqyrtimit të historisë, si dhe transmetimit të saj tek të rinjtë.
Sipas statistikave, sot në Itali jetojnë dhe punojnë rreth 600 mijë shqiptarë, si dhe mësojnë e studiojnë rreth 8 mijë studentë.






















