TIRANË, 13 prill /ATSH/ Nën drejtimin e Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla u zhvillua sot mbledhja e Konferencës së Kryetarëve.
Mbledhja shqyrtoi kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit “Për verifikimin e ligjshmërisë së Procedurave të ndjekura nga Institucionet shtetërore (i) verifikimin e projektit dhe të investitorit të Portit të Durrësit, (ii) për negociimin dhe ruajtjen e interesit publik, si dhe (iii) lidhjen e marrëveshjes kuadër, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Eagle Hills Real Estate Development Company, sh.a., dhe Nshmi Development L.L.C”.
Mbledhja nuk arriti konsensus për vendimmarrjen për këtë çështje dhe vendosi t’ia kalojë për shqyrtim seancës plenare.
Me propozimin e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, mbledhja shqyrtoi përfshirjen në kalendarin e punës së Kuvendit shqyrtimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.25/2022, “Për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve”; projektligjit “Për disa shtesa në ligjin nr.9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, të ndryshuar”; projektligjit “Disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.
Mbledhja nuk arriti konsensus për vendimmarrjen për këto çështje dhe vendosi t’ia kalojë për shqyrtim seancës plenare.
/gj.m/r.e/























