Ballina Bota

NORVEGJI – Dëbohen 15 diplomatë rusë

KOPENHAGË, 13 prill /ATSH-DPA/ – Norvegjia ka dëbuar 15 punonjës të shërbimeve sekrete ruse, të cilët dyshohen se kanë kryer aktivitete të papajtueshme me statusin e tyre diplomatik, njoftoi sot ministrja e Jashtme norvegjeze, Anniken Huitfeldt.

“Ne e marrim këtë shumë seriozisht dhe tani po zbatojmë masa për të kundërshtuar aktivitetet e shërbimeve sekrete ruse në vendin tonë. Ne nuk do të lejojmë oficerët e agjencisë ruse të veprojnë duke u mbuluar me statusin e tyre diplomatik në Norvegji”, shtoi ajo.

Diplomatët duhet të largohen nga Norvegjia brenda një periudhe të shkurtër kohore.

“Aplikimet për viza nga oficerët e shërbimeve sekrete ruse do të refuzohen”, sipas ministrisë.

Tre oficerë të shërbimeve sekrete ruse u dëbuan nga Norvegjia në prill të vitit të kaluar.

“Dua të theksoj se Norvegjia po kërkon të ruajë marrëdhënie normale diplomatike me Rusinë, dhe se diplomatët rusë janë të mirëpritur në Norvegji. Veprimi që kemi ndërmarrë sot synon të reduktojë aktivitetet e padëshiruara të shërbimeve sekrete”, tha Huitfeld.

“Ne nuk do të pranojmë që misionet diplomatike të keqpërdoren për qëllime të kryerjes së aktiviteteve të fshehta”, shtoi ajo. //a.i/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLigji për mediet, Gjylameti: Ndryshimet nuk cenojnë lirinë e medias
Artikulli tjetërBejko: Berisha po përdor në fushatë paratë që i ka vjedhur shqiptarëve