Ballina Flash

Bejko: Berisha po përdor në fushatë paratë që i ka vjedhur shqiptarëve

TIRANË, 13 prill/ATSH/ Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e Tiranës, Roland Bejko zhvilloi sot një takim me demokratë të njësisë nr. 7 në kryeqytet.

Bejko u shpreh se “deri tani Berisha ka zhvilluar rreth 13 takime që do të thotë te 60 mijë euro“.

“Nga kush mbështet? Nga paratë e oligarkëve. Një takim që zhvillon sot Sali Berishai kushton 5 mijë euro. Ka zhvilluar deri tani 13 takime për prezantime, ka shpenzuar rreth 60 mijë euro. Ndërkohë që ka një vit e gjysmë që vjen vërdall. Me çfarë parash i zhvillon këto aktivitete, me çfarë i paguan mediat? Këto para janë para që i ka vjedhur te shqiptarët, para të vjedhura nga taksapaguesit shqiptarë. Ose paratë e krimit të organizuar ose të oligarkëve. Për të trija këto është akuzuar, për këto të trija është shpallur dhe non grata. Britanikët e akuzuan si bashkëpunëtore me krimin e organizuar, amerikanët si një person që minon demokracinë, shqiptarët e kanë refuzuar për lider dhe sot janë 70% e shqiptarëve që nuk e duan. Të vetmit që i shkojnë nga mbrapa janë militantet që i gënjeu se për 6 muaj do hedh Ramën nga pushteti. I fton demokratët dhe u thotë votoni listën e Ilir Metës, ata që ju hoqën ju nga puna dhe shkatërruan jetën e demokratëve”, tha Bejko.

Bejko tha se “në këtë fushatë, ne jemi e vetmja forcë e djathtë që konkurrojmë në Tiranë, sepse të gjithë kandidatët e tjerë janë të futur nën flamujt e partive të majta. Edhe Belindi është i Ilir Metës. Përfaqëson aty nongratën, por përfaqëson edhe Ilir Metën, i cili dihet se çfarë reputacioni publik ka në Shqipëri”.

Sipas tij, “qytetarëve sot bashkia e Tiranës shkon dhe u merr pronën, për të ndërtuar kulla dhe qytetarët nuk ndërtojnë dot një ëndërr, një projekt për një jetë të re”.

“Një çifti të ri sot në Tiranë do t’i duhet të punojë katër jetë që të arrijë të blejë një apartament, për shkak të nivelit të çmimeve që kanë vendosur oligarkët ekonomikë dhe politikë. Ne duam ta çlirojmë Tiranën nga kjo kolerë që i ka rënë përsipër, t’i japin frymëmarrje qytetarëve dhe kryeqytetit, biznesit, tregut të lirë, të simulojmë konkurrencën e ndershme dhe meritokracinë”, tha ai.

Sipas Bejkos, “demokratëve tani u kërkohet të bëjnë me parti Ilir Metën, sepse ai doli nga Presidenca dhe nuk kishte parti”.

“Prandaj demokratët të mos bëjnë gabim që të votojnë Ilir Metën, por të votojnë vëllezërit edhe motrat e tyre, që i kanë te Partia Demokratike. Ta hapim garën dhe pas datës 14, me organizmin e Partisë Demokratike, t’u japim shqiptarëve një parti të mirëfilltë demokratike, një parti jo të kryetarit e të një kasti të vogël drejtuesish, por një parti të demokratëve, të forumeve, pse jo një parti të referendumeve, ku vendimet e mëdha politike të merren me referendum nga anëtarësia, ku pushtetet në parti të jenë të ndara, ku pushteti i kryetarit të jetë i kontrolluar nga kryesia, pushteti i kryesisë nga këshilli kombëtar, ku këshilli kombëtar të jetë i kontrolluar nga anëtarësia, dhe anëtarësia në fund, për vendet e rëndësishme të partisë, të shprehet me referendum”, shtoi ai.

/m.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNORVEGJI – Dëbohen 15 diplomatë rusë
Artikulli tjetër​Shtohet qarkullimi në sektorin e shërbimeve, tregtia në vendin e parë